Çmimi Nobel për Fizikë u është dhënë shkencëtarëve Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi, për punë novatore në parashikimin e ndryshimeve klimatike dhe për të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike.
Japonezi Manabe dhe gjermani Hasselmann e fituan bashkërisht gjysmën e çmimit, “për modelimin fizik të klimës së Tokës, si dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”. Ndërsa italiani Giorgio Parisi fitoi gjysmën tjetër, pasi zbuloi modele të fshehta në materiale të çrregullta e komplekse.
Hasselman krijoi një model që bën bashkë motin dhe klimën. Metodat e tij janë përdorur për të vërtetuar se rritja e temperaturave në atmosferë ka ardhur për shkak të emetimit të dioksidit të karbonit. Ndërsa Manabe vërtetoi sesi rritja e nivelit të dioksidit të karbonit në atmosferë solli edhe rritjen e temperaturës në sipërfaqe të Tokës. Puna e tij shërbeu si bazë për zhvillimin e modeleve të klimës që janë në përdorim.