Një nga perlat e natyrës shqiptare, tepër e lakmuar prej vizitorëve që rendin nëpër Shqipëri është edhe Syri i Kaltër në Theth, i quajtur ndryshe Pusi i Zi.
Syri i Kaltër është atraksioni natyrore më i frekuentuar në Theth. Vendndodhja e kësaj bukurie është në Kaprre të poshtme, afërsisht 7 kilometra larg nga qendra e luginës së Thethit.
I gjendur mes shpatesh shkëmbore dhe të gjelbëruara, me thellësinë e tij ky pus merr ngjyrat e kaltra dhe të smeraldit në varësi të stinës duke formuar një peizazh magjepsës për të gjithë vizitorët.
Lumi i Zi buron në Majën e Zezë dhe ushqehet kryesisht nga shkrirja e borës dhe në Ndërlysa bashkohet me Lumin e Shalës për t’u derdhur në Drin dhe Koman.
Për të arritur në këtë destinacion mund ta llogarisësh krejtësisht me ecje në këmbë. Shtegu është i shënuar me shenja edhe pse ato janë amortizuar por shtegu i ecjes nga Ndërlysa është aq i shkelur e i qartë sa nuk ke mundësi të humbësh.
Në Ndërlysa sapo kalon urën dhe merr rrugën për në Kaprre të del përpara një nga pamjet më të mrekullueshme e formuar nga gërryerja e shkëmbit nga lumi, ku janë krijuar disa vaska ngjyre rozë dhe ujëvara, që quhen Vaskat e Gurit në Ndërlysa.