Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli e ka fituar edhe një çmim, kësaj radhe në Festivalin e Filmit në Varshavë.
“’Zgjoi’ shpërblehet në Festivalin e Filmi në Varshavë”, ka njoftuar Basholli në Facebook.
“Ka fituar Çmimin kryesor të garës ndërkombëtare si filmi më i mirë në kategorinë “ 1-2 Competition”, që u ndahet regjisorëve për filmin e tyre të parë apo të dytë të metrazhit të gjatë”.
Basholli është shprehur e lumtur pas këtij triumfi, por duke thënë që rrugëtimi i këtij filmi nuk mbaron këtu.
“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishte e mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë”, ka thënë Basholli.
“Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale te tjera qe na presin”.