Edukimi dhe arsimi a janë e njëjta gjë ?

 

Thonë se një i arsimuar është i edukuar, por sa e vërtetë është kjo?

Edukimi dhe arsimi qëndrojnë pranë, por nuk janë e njëjta gjë. Ato janë dy elemente tepër të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë. Të dyja ndikojnë në formimin dhe të qenit i suksesshëm. Shkollimi është baza e një njeriu të përparuar, ku në të shumtën e rasteve përcakton dhe rolin apo pozicionin e gjithsecilit në jetën profesionale. Edukimi është pikënisja e formimit të individit që në moshë të hershme.

A mund të quhet i edukuar një njeri i arsimuar?

Sigurisht që arsimimi dhe edukimi janë tepër të rëndësishëm në formimin e individit, por ajo që vlen për t’u theksuar është se vërtet qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, por asnjëherë nuk mund të përcaktojnë nivelin e “njeriut të edukuar”. Nuk mund të merret i mirëqenë fakti se një njeri është me patjetër i edukuar në rast se është i arsimuar. Është e qartë se shkollimi iu jep mundësi të barabarta njerëzve që ecin në karrierë, por në fakt pak nga ecuria e tyre, pak nga fati dhe pak nga pabarazia, nuk pozicionohen gjithnjë në nivelin e kërkuar.

Vlerat e një njeriu të mirëformuar nuk i tregon vetëm arsimimi. Të gjithë njohim njerëz që kanë një bagazh me shkollë dhe jo në pak raste janë të paedukuar. Sikurse njohim dhe shumë të tjerë të cilët nuk kanë patur mundësi të shkollohen pasi jeta i ka përplasur deri diku në situata jetike ku arsimimi mund të quhet luks. Jo në pak raste, mundësitë, shanset dhe pabarazitë nuk iu kanë mundësuar të edukuarve të shkollohen.

Zonja e veshur me luks, me diplomat që i rëndojnë në qafë, shkon te dyqani i veshjeve dhe me sjelljen e saj arrogante kërkon shërbim nga shitësja me arsim të mesëm. Kjo e fundit, tepër e edukuar i përgjigjet brenda një formati të pranueshëm me norma e vlera edukative. Këto norma dhe vlera, vërtet nuk i ka marrë nga arsimimi por nga vatra familjare që s’ka mundur t’i ofrojë arsimim të mëtejshëm dhe si pasojë jo ngjitje në karrierë.

Zotëria i veshur me kostum të shtrenjtë, i diplomuar në universitet të mirënjohur, shkon dhe ulet në lokal. E thërret kamerierin me një arrogancë, thua ky i fundit i ka borxh jetën. Ai zë vend me qëndrimin gati i shtrirë dhe jo i ulur në karrige. I arsimuar vërtet ky zotëria, por kamerierin e thërret: Ej çun! A po vjen apo jo se s’do të pres ty!. Kamerieri, të cilit i ka munguar mundësia për t’u shkolluar edhe më tej, afrohet dhe me shumë edukatë i kërkon ndjesë për vonesën 60-sekondëshe.

Sa mirë kur qëndrojnë bashkë të dyja këto elemente dhe bëhen plotësuese të një formimi ideal!!

Megjithatë kurrsesi nuk mund të dalim në përfundime se i arsimuari është gjithnjë i edukuar. Ose më mirë akoma që një individ i edukuar quhet ai i arsimuari. Patjetër që arsimi është mundësia për të qenë i suksesshëm në shoqëri, vetëm se aftësisë për të shkruar, lexuar, llogaritur dhe analizuar i duhet shtuar edhe vlera e të qenit i edukuar.

Familja dhe rrethi social ku rritemi dhe edukohemi është pika e parë e takimit me formimin individual, kurse arsimimi është pika e dytë e tij. Edukimi është normë e përgjithshme në të gjitha kulturat ndërkombëtare, kurse arsimimi është kulturalisht specifik. Një student shqiptar ka nevojë për njohuri specifike për Shqipërinë, me qëllim që të ketë sukses brenda saj, kurse italiani ka nevojë për njohuri të shoqërisë italiane. Kur flasim për arsimin, mund të themi me bindje se nuk ekziston asnjë kurrikulum universal. Ndërsa kur flasim për edukimin, është e qartë se ajo i përket edhe të arsimuarit, por edhe të paarsimuarit.

Holta Heba