Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) sot është përuruar laboratori rinovuar i Institutit të Patologjisë, donacion nga Care for Kosova Kids dhe qeveria holandeze, investim ky me vlerë mbi 130 mijë euro.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha u shpreh se qeveria është e përkushtuar t’i largojë të gjitha barrierat për donatorët.
Berisha ka uruar që projekte të tilla të ketë sa më shumë në sistemin shëndetësor në Kosovës pasi që sipas tij në këtë mënyrë rritet komoditeti i punës së personelit mjekësor dhe ngritet cilësia e shërbimeve mjekësore.
“Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Shëndetësisë është e vendosur t’i largojë të gjitha barrierat që ekzistojnë në rastin e bashkëpunimeve nga donatorë të ndryshëm dhe shpresoj që të vijmë sa më shpejt dhe sa më shpesh me investime të tilla në ShSKUK, spitalet rajonale dhe në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të cilat ndikojnë në rritjen e komoditetit të punës të profesionistëve shëndetësor në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, theksoi Berisha.
Ambasadorja e Holandës në Kosovës, Carin Lobbezoo tha se është e lumtur që përmes këtij donacioni po ndihmojnë QKUK-në në diagnostikimin e fëmijëve në departamentin e Hematologjisë dhe Onkologjisë pediatrike, por edhe të pacientëve të tjerë pranë QKUK-së.
Ajo tha edhe se Holanda dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira dhe së bashku mund të bëjnë ndryshime të vërteta që kanë ndikim pozitivë.
“Bashkëpunimi ndërmjet stafit të QKUK-së, Departamentit të Onkologjisë për Fëmijë, Princess Máxima Centre dhe Care for Kosovo Kids simbolizon realisht dhe shumë praktikisht miqësinë mes Kosovës dhe Holandës. Kjo tregon se kur ne i bashkojmë forcat, njerëzit nga Kosova dhe Holanda mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë së bashku, dhe ata mund të ndryshojnë jetën këtu në Qendrën Klinike Universitare. Dëshmia e kësaj është Departamenti i ri i Patologjisë që po hapni tani, por gjërat nuk ndodhin brenda natës. Realizimi i një projekti të tillë dhe një laboratori të ri kërkon këmbëngulje, përkushtim dhe tejkalim të shumë pengesave”, theksoi ajo.
Ndërsa, Anke Gerrits nga Care for Kosova Kids tha se përmes këtij donacioni janë përmirësuar kushtet e punës për patologët por edhe shërbimet për pacientët.