PAQERUAJTËSI NORVEGJEZ QË MBAN LIDHJE TË FORTA ME KOSOVËN

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin si Ditën Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të OKB-së.

Kjo ditë ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes, si dhe nderimin e gjithë burrave dhe grave që vazhdojnë shërbimin në operacionet e OKB-së, për profesionalizimin e lartë, përkushtimin dhe kurajën.

Në qershor të vitit 1999, norvegjezi Kenneth Andresen pranoi një thirrje nga ushtria e shtetit të tij për t’u bërë pjesë e një misioni ushtarak në Kosovë.

Kishte kaluar shumë pak kohë prej kur NATO përfundoi një fushatë ajrore të bombardimeve mbi ish-Jugosllavi, me qëllim të ndaljes së vrasjeve dhe spastrimit etnik në Kosovë.

Qindra-mijëra shqiptarë ishin larguar dhunshëm prej shtëpive të tyre nga forcat paramilitare e ushtarake serbe.

Gjatë luftës së viteve ‘98-99, u vranë mbi 13 mijë persona, shumica ishin shqiptarë.

Por, ditën kur ushtria norvegjeze e kontaktoi Kenneth Andresenin, ai nuk kishte informacione të mjaftueshme se çfarë në të vërtetë po ndodhte në vendin e dalë nga lufta.

“Jam munduar ta kuptoj situatën përmes leximit të lajmeve”, thotë Andresen.

I bombarduar nga informacionet në media si dhe diskutimet politike pro dhe kundër përfshirjes së Norvegjisë, në operacionet e bombardimit të ish-Jugosllavisë, Andresen, vendosi që të nisej për në Kosovë.

“Ishte shumë e vështirë për ta kuptuar nga lajmet se çfarë po ndodhte, por ne pamë se në media kishte shumë artikuj për luftën e Kosovës, sepse Norvegjia ishte e përfshirë ne operacionet e NATO-s. Kishte shumë diskutime në Norvegji, shumica në mbështetje të luftës, por kishte dhe diskutime politike, për t’u bërë pjesë e luftës [bombardimit të ish-Jugosllavisë] apo jo”, thotë Andresen.

Së bashku me një kontingjent të trupave të ushtrisë norvegjeze, Kenneth Andresen, u fut në Kosovë në fund të muajit korrik 1999.

Kosova ishte e shkatërruar nga lufta.

“Nuk e dija se çfarë të prisja, por e dija që ishte e vështirë. Sigurisht, gjatë rrugës pashë shumë shtëpi që ishin të shkatërruara, rrugët e shkatërruara dhe urat, të gjitha këto… dhe vërtet nuk e kuptoja derisa mbërrita dhe pashë shkatërrimin në të gjithë Kosovën”, thotë Andresen.

Gjatë misionit të tij në kuadër të KFOR-it, Andresen, për gjashtë muaj ishte i uniformuar dhe ushtronte pozitën e zyrtarit për informim.

Ai thotë se pa se si shumë njerëz ishte larguar nga luftimet drejt vendeve të rajonit, duke lënë pas vetes gjithçka.

Lidhja e Kennethit me Kosovën

Misioni i Kennethit në Kosovë në vitin 1999, zgjati gjashtë muaj, nga korriku 1999 deri janar 2000.

Gjatë shërbimit ai monitoroi vazhdimisht gazetat lokale dhe ishte shumë kureshtar se pse mediat në Kosovën e pasluftës, ndryshonin aq shumë me ato në Norvegji.

“Pata mundësinë që të mësoj më shumë për median. Ne lexonim gazetat ditore me ndihmën e përkthyeseve dhe isha shumë kureshtar pse media është kaq ndryshe nga mediat në Norvegji. Si punojnë gazetarët në një situatë të pasluftës?! Dhe ky ishte vetëm fillimi i shumë projekteve të mëvonshme”, thotë Andresen.

Pikërisht media lokale u bë shkas që ai të krijonte një lidhje të veçantë për Kosovën.

Që nga përfundimi i luftës, Andresen vizitoi shumë herë Kosovën.

Pas luftës, ai ndihmoi në ngritjen e kapaciteteve të mediave dhe gazetarëve, përmes trajnimeve të llojllojshme e më vonë po ashtu u përfshi në projekte të ndryshme.

Kenneth Andresen është ligjërues në Universitetin Agder në Kristiansand të Norvegjisë.

Një prej ngjarjeve më tragjike të vdekjes së paqeruajtëseve ndërkombëtarë në Kosovë ishte vdekja e 42 ushtarëve sllovakë, që humbën jetën në një aksident ajror duke u kthyer në shtëpi nga misioni i tyre në kuadër të KFOR-it.

Që nga viti 1999, rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s, kanë vdekur kryesisht në aksidente dhe incidente të izoluara.

Rrugëtimi i Kosovës drejt misioneve paqeruajtëse

Në Kosovë ende vazhdojnë të jenë prezentë trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

Megjithatë, së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës – FSK u pjesë e misioneve paqeruajtëse.

Më 9 mars 2021, një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së, zbarkoi në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit.

Kontingjenti i FSK-së që shkoi në Kuvajt, është pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas në kuadër të ushtrisë amerikane.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se misioni i FSK-së në Kuvajt, është i rëndësishëm, si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht.

“Në nivelin taktik përfitojnë ata ushtarë që kanë shkuar, e marrin një eksperiencë të mirë me ushtrinë amerikane dhe ushtritë e tjera më të cilët kanë me qenë bashkë atje në mision”, thotë Kastrati.

Kastrati thotë se me rritjen e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës, duhet të mendohet për misione më të mëdha paqeruajtëse.

“Eksperiencë tjetër është që ushtria merr një përvojë të dërgimit të ushtarëve në misione, ato procedurat standarde operative se si dërgohen, si dislokohen jashtë shtetit të Kosovës. Ne si Kosovë planifikojmë në të ardhmen të jemi pjesë e misioneve tjera, më të mëdha dhe më të komplikuara. Dhe kjo e hapë një rrugë të mirë”, thotë Kastrati.

Edhe ish-pjesëtari i forcave ushtarake norvegjeze Kenneth Andresen, mendon se shkuarja e trupave të FSK-së në misione jashtë vendit, është një histori suksesi e Kosovës.

“Vendosja e Kosovës në hartën e paqeruajtëseve bashkë me shtete të tjera, është gjë e mirë, e natyrshme si dhe strategjike për një shtet të ri”, thotë Andresen.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit, ishte marrë më 31 dhjetor 2020.

Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.

Ky proces ka një kosto të lartë dhe parashihet që të zgjasë të paktën 10 vjet.