KURTI THIRRJE PERSONAVE TË MBIJETUAR, TË APLIKOJNË PËR NJOHJEN E STATUSIT

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vasfije Krasniqi, dhe zëdhënësen e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, vizitoi Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Kurti u njoftua nga afër për punën e këtij komisioni, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve, familjeve të tyre, dhe për gjithë shoqërinë.

Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori,” tha kryeministri Kurti.

Kombinimi i përgjegjësisë institucionale dhe vetëdijësimit shoqëror mund të sjellë rezultatet që duam, për të tejkaluar sfidat për realizimin e mandatit të këtij komisioni dhe nxitjen e aplikimit për realizimin e së drejtës së tyre të garantuar me ligj, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi domosdoshmërinë e thirrjes së vazhdueshme për personat e mbijetuar, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe që këto thirrje të arrijnë kudo që të mbijetuarat/it mund të jenë.

Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, Minire Begaj Bala, anëtarët e komisionit, së bashku me përfaqësueset organizatave joqeveritare të autorizuara për të ndihmuar në procesin e aplikimit: Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së dhe Mirlinda Sada, drejtoreshë e Medica Gjakova, si dhe anëtarët e sekretariatit të këtij komisioni qeveritar.