AKA publikon vendimet dhe raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të procesit të akreditimit

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka publikuar sot të gjitha vendimet dhe raportet përfundimtare të ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit që janë bërë për institucionet dhe programet e institucioneve të arsimit të lartë (IAL).

“Transparenca dhe llogaridhënia e plotë, janë një nga rekomandimet e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), të cilin AKA po e zbaton në plotni”, thuhet në njoftim për media.AKA ka shtuar se procesi i akreditimit për programet e vitit akademik 2021/2022, ka filluar në janar të këtij viti dhe ka përfunduar me sukses më 27 korrik 2021, kur Këshilli Shtetëror i Cilësisë, vendosi për raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit.

“Pas disa vitesh, për herë të parë janë vlerësuar të gjitha programet studimore që kanë qenë në proces të akreditimit ose riakreditimit, ndërsa janë përcaktuar edhe kuotat për numrin e studentëve që do të regjistrohen në një program studimi, sipas rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë”, thuhet më tej.

Sipas AKA-së, gjithë procesi i vlerësimit të programeve të studimit, është zhvilluar nga 81 ekspertë eminentë të kontraktuar nga AKA.“Gjatë këtij procesi, AKA ka plotësuar edhe një rekomandim tjetër të ENQA-s, duke përfshirë edhe ekspertë studentë në ekipet e ekspertëve ndërkombëtarë të vlerësimit”, thuhet në fund.

Më shumë detaje rreth raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë mund të gjeni KËTU.KShC është institucion që merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Aktualisht në këtë bord janë vetëm anëtarët vendor: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Dukagjin Zeka dhe Rozafa Koliqi, pasi anëtarët ndërkombëtarë dhanë dorëheqje.