Arkitekti Përparim Rama që vepron në Londër, kandidat për kryetar të Prishtinës

0
73

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se Përparim Rama do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, për të cilin ditë më parë kishte raportuar Telegrafi.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se qytetit po i ofrohet një kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton, e LDK-së rikthimin e madh.

Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:

Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën

Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komunitetit profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim.

I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë – Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës.

Lexo po ashtu:
Arkitekti Përparim Rama që vepron në Londër, kandidat për kryetar të Prishtinës
Arkitekti Përparim Rama që vepron në Londër, kandidat për kryetar të Prishtinës
Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë.

Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngulfatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion.

Kemi folur dhe për LDK-në e rrugëtimin që duam të ndërtojmë përpara. Bindjet e tij politike e ideologjike, me gjithë vullnetin e tij të madh për ndryshim, kanë kryqëzuar rrugët tona. Si profesionist i fushës, si emër ndërkombëtar, si aset i Prishtinës, kandiditimi i tij për Kryetar të Kryeqytetit është përputhje natyrale e vizioneve tona.

Pas autorizimeve që kam marrë nga degët tona, javën që vjen do t’i propozojë nominimin e tij Kryesisë sonë. Menjëherë më pas do të ndërtojmë e prezantojmë edhe ekipin për qeverisje e për asamble. Nga aty do të ndërtojmë e prezantojmë zgjidhjet më praktike të problemeve më kronike të qytetarëve tanë – një model krejt ndryshe deri më tani. Secili banorë i secilës lagje të kryeqytetit do të gjejë veten në këtë model. Fjalët boshe e zhurmat politike do të duken siç edhe vërtetë janë – të thata.

Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjerues në univeristete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’. Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.

Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një Kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh.