Bizneset Kosovare fillojnë ta ndiejnë rimëkëmbjen ekonomike, rritet qarkullimi për 820 milionë euro

Kompanitë prodhuese në Kosovë gjatë këtij viti, kanë filluar të rrisin prodhimin e tyre, rrjedhimit edhe qarkullimin financiar.

Një nga kompanitë është “8 vëllezërit” në Komunën e Klinës, që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës. Argjend Shala, pronar i kësaj ndërmarrje, tha se gjatë këtij viti, kompanisë i është kthyer normaliteti pas pandemisë.

Mbi 30 për qind, tha ai, ka rritje të sasisë së prodhimit dhe rritje të numrit të të punësuarve. Kjo kompani, prodhimet e saj i eksporton edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

“Vitin e kaluar ka pas më pak qarkullim, por punëtorët i kemi mbajtur në punë. Ndërsa, sivjet është më mirë, ka rritje edhe në tregun e Kosovës, por ka rritje edhe të eksportit”, ka thënë Shala.

Bizneset në Kosovë, vitin e kaluar gjatë pandemisë, kanë raportuar humbje mbi 1 miliard euro.

Një ringjallje ekonomike, vërehet edhe nga të hyrat e agjencive kryesore që mbushin buxhetin, siç janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

ATK nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur të inkasoj mbi 242 milionë euro apo rreth 57 milionë euro më shumë.

Drejtori i ATK-se, Ilir Murtezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rreth 27 për qind është rritja e qarkullimit të bizneseve në këtë periudhë.

“Nëse e analizojmë edhe qarkullimin e deklaruar nga ana e bizneseve, kemi edhe një rritje të qarkullimit për rreth 27 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Apo shprehur në vlera financiare, mbi 820 milionë euro është qarkullimi i rritur në vitin 2021, në raport me periudhën e njëjtë (janar – maj) të vitit 2020”, thekson Murtezaj.

Në periudhën janar – prill të vitit të kaluar, vlera e qarkullimit ka qenë mbi tre miliardë euro, derisa në periudhën e njëjtë gjatë këtij viti, kjo shumë ka shkuar në 3.8 miliardë euro.

Edhe Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe (janar – maj), ka grumbulluar mbi 512 milionë euro apo 112 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur vlera e të hyrave ishte mbi 400 milionë euro. Kjo rritje ka ndikuar kryesisht nga rritja e importit të sasisë së derivateve të naftës, cigareve dhe automjeteve.

Përmirësimi i performancës së këtyre të hyrave, dëshmon se ekonomia ka filluar të ringjallet pas pandemisë COVID-19, thotë edhe Safet Gërxhaliu, profesor i ekonomisë. Ai shton se duke parë neglizhencën institucionale për ndihmë financiare, bizneset kanë gjetur mundësi vetanake për të përmirësuar veprimtarinë e tyre.