Çeku: DokuFest ka tejkaluar të gjitha pritjet duke u shndërruar në një shtytës të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror në vend

Pas përfundimit të edicionit të 20-të të DokuFest, ka reaguar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, me ç’rast ai është shprehur se përmes këtij edicioni është pasqyruar rrugëtimi i gjatë, i nisur fillimisht si përpjekje për revitalizimin e kinemasë së vetme të qytetit, e pastaj transformuar në një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Europën Juglindore, përcjell KultPlus.

“DokuFest ka arritur të tejkalojë të gjitha pritjet duke u shndërruar në një shtytës të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror në vend”, ka shkruar Çeku në postimin e tij në rrjetin social Facebook.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Në mbylljen e edicionit të 20-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtë “DokuFest”, shohim pasqyrimin e një rrugëtimi të gjatë, të nisur fillimisht si përpjekje për revitalizimin e kinemasë së vetme të qytetit, e të transformuar në një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Europën Juglindore.
DokuFest ka arritur të tejkalojë të gjitha pritjet duke u shndërruar në një shtytës të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror në vend. Përgjatë nëntë ditëve Prizreni shndërrohet në një kinema të hapur, ku krahas filmave dokumentarë e të metrazhit të shkurtë, shijohet edhe magjia e qytetit, duke u përjetuar drejtpërdrejtë trashëgimia e pasur dhe e shumëllojshme kulturore e natyrore.
Adaptimi i hapësirave publike dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore brenda qendrës historike të Prizrenit, duke promovuar njëkohësisht këto vlera të rëndësishme, është edhe një dëshmi për rëndësinë e ruajtjes së diversitetit të pasur kulturor dhe potencialit për zhvillim.
Arti, kultura dhe trashëgimia kulturore janë kontribues qenësor në mirëqenien sociale e ekonomike të qytetarëve tanë. Mbështetja institucionale për kulturën do të ketë rritje të ndjeshme e të vazhdueshme, skena e pavarur kulturore e Kosovës, artistët e aktivistët tanë kulturor e kanë dëshmuar veten.