Televizioni i njohur amerikan, CNN, ka raportuar për medaljen që do ta pranojë nga Kosova Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në emër të të birit të ndjerë, Beau Biden.
Presidenti Joe Biden të dielën do të pranojë një medalje nga presidentja e Kosovës në emër të të birit, Beau Biden, për punën e tij për ta ndihmuar fuqizimin e sistemit të drejtësisë së vendit të goditur nga lufta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Mesazhi i Bidenit, i incizuar paraprakisht dhe i cili u nda me televizionin CNN, do të transmetohet gjatë një ceremonie në Kosovë për ta pranuar zyrtarisht medaljen presidenciale post mortem në emër të të birit të tij, i cili vdiq në vitin 2015 nga kanceri në tru. Medalja do të jepet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Bideni thotë në video se medalja është një nder i madh dhe se i biri i tij kishte rënë në dashuri me vendin (Kosovën), kur kishte kaluar tri vjet atje. Beau Biden ka punuar në Kosovë pas luftës së viteve 1998 e 1999 me forcat ushtarake dhe me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për ta ndihmuar trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve.
Bideni tha se fëmijët e të birit Beau, Natalie dhe Hunger, ishin aty përderisa e incizonte adresimin e tij për pranimin e medaljes.
Bideni e vizitoi Kosovën në vitin 2016 si nënpresident, kur ky shtet e emërtoi një rrugë me emrin e e Beau Bidenit. Rruga nuk është larg bazës ushtarake amerikane atje. Presidenti tha në mesazh se kjo përvojë ishte thellësisht prekëse për tërë familjen e tij dhe se ata janë mirënjohës përgjithmonë.
“Edhe atëherë, Beau mund të shihte që e ardhmja ishte e mundshme për vendin tuaj krenar. E ardhmja e Kosovës është mohuar për një kohë aq të gjatë. Prandaj, ai ishte aq i përkushtuar për të punuar me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetoheshin plotësisht dhe të ndiqeshin penalisht në mënyrë profesionale, për ta ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të drejtë, të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim për vendin”, tha Bideni në videon rreth 5-minutëshe.
Presidenti e ritheksoi bashkëpunimin e ShBA-së me këtë vend de tha se më shumë punë mbetet për t’u bërë për ta luftuar korrupsionin, për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave etnike e fetare, për të ndërtuar raporte pozitive me vendet fqinje dhe për ta fuqizuar zhvillimin ekonomik.
Presidenti tha se është i lumtur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ndajnë vaksina për Covid-19 për Kosovën. Ai tha se këto doza do të arrijnë brenda javësh.
Organizimi i së dielës do të zhvillohet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku takohet legjislatura e Kosovës, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Sipas këtij zyrtari, medaljen do ta pranojë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Një muzikant vendës, Shpat Deda, do t’i performojë këngët e bendit të parapëlqyer të Beau-s, Coldplay.