Ballina Lajme Botë CNN raporton për medaljen që Kosova do t’ia ndajë të birit të...

CNN raporton për medaljen që Kosova do t’ia ndajë të birit të ndjerë të presidentit Biden

 

Televizioni i njohur amerikan, CNN, ka raportuar për medaljen që do ta pranojë nga Kosova Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në emër të të birit të ndjerë, Beau Biden.

Presidenti Joe Biden të dielën do të pranojë një medalje nga presidentja e Kosovës në emër të të birit, Beau Biden, për punën e tij për ta ndihmuar fuqizimin e sistemit të drejtësisë së vendit të goditur nga lufta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Mesazhi i Bidenit, i incizuar paraprakisht dhe i cili u nda me televizionin CNN, do të transmetohet gjatë një ceremonie në Kosovë për ta pranuar zyrtarisht medaljen presidenciale post mortem në emër të të birit të tij, i cili vdiq në vitin 2015 nga kanceri në tru. Medalja do të jepet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Bideni thotë në video se medalja është një nder i madh dhe se i biri i tij kishte rënë në dashuri me vendin (Kosovën), kur kishte kaluar tri vjet atje. Beau Biden ka punuar në Kosovë pas luftës së viteve 1998 e 1999 me forcat ushtarake dhe me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për ta ndihmuar trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve.

Bideni tha se fëmijët e të birit Beau, Natalie dhe Hunger, ishin aty përderisa e incizonte adresimin e tij për pranimin e medaljes.

Bideni e vizitoi Kosovën në vitin 2016 si nënpresident, kur ky shtet e emërtoi një rrugë me emrin e e Beau Bidenit. Rruga nuk është larg bazës ushtarake amerikane atje. Presidenti tha në mesazh se kjo përvojë ishte thellësisht prekëse për tërë familjen e tij dhe se ata janë mirënjohës përgjithmonë.

Edhe atëherë, Beau mund të shihte që e ardhmja ishte e mundshme për vendin tuaj krenar. E ardhmja e Kosovës është mohuar për një kohë aq të gjatë. Prandaj, ai ishte aq i përkushtuar për të punuar me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetoheshin plotësisht dhe të ndiqeshin penalisht në mënyrë profesionale, për ta ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të drejtë, të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim për vendin”, tha Bideni në videon rreth 5-minutëshe.

Presidenti e ritheksoi bashkëpunimin e ShBA-së me këtë vend de tha se më shumë punë mbetet për t’u bërë për ta luftuar korrupsionin, për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave etnike e fetare, për të ndërtuar raporte pozitive me vendet fqinje dhe për ta fuqizuar zhvillimin ekonomik.

Presidenti tha se është i lumtur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ndajnë vaksina për Covid-19 për Kosovën. Ai tha se këto doza do të arrijnë brenda javësh.

Organizimi i së dielës do të zhvillohet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku takohet legjislatura e Kosovës, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Sipas këtij zyrtari, medaljen do ta pranojë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Një muzikant vendës, Shpat Deda, do t’i performojë këngët e bendit të parapëlqyer të Beau-s, Coldplay.