Kancelarja gjermane Angela MerkelNjë femër hyn në skenën e politikës gjermane…
Në Bundestag mbizotëron fryma e lamtumirës. Për herë të fundit kancelarja Angela Merkel foli para deputetëve përpara samitit të BE-së.
Në pamjen e jashtme zonjës, që del në pultin e referuesit, nuk i dallohet asgjë, që ky fjalim do të jetë ndryshe, një fjalim krejt i veçantë.
Një femër hyn në skenën e politikës gjermane…
Një femër nga Gjermania Lindore pa lidhje politike, në fillim ngjitet në majë të partisë konservatore dhe më pas bëhet liderja e Gjermanisë. Ajo është rizgjedhur katër herë deri tani dhe është në vitin e saj të katërmbëdhjetë si Kancelare. Edhe pse pa fëmijë, shkrimtarja gjermane Juli Zeh e ka quajtur atë “Mutti” – nëna e sigurisë gjermane.
Rreth katër herë në vit jep deklaratën qeveritare përpara Bundestagut, gjithsej ajo ka mbajtur 64 fjalime të tilla. Por ky është i fundit, Merkel nuk rikandidon në shtator dhe as nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri.
Këtë të premte nis sezoni i pushimeve të verës, ndoshta Merkel pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ushtrojë funksionet në formë komisare në kancelari, por në rrethana të tilla deklaratat qeveritare janë të pazakonta. Merkel gjatë gjizhë këtyre viteve ka dhënë deklarata për financat, politikën e Euros, mbrojtjen e klimës, shkëputjen nga energjia bërthamore, për Brexit-in, politikën ndaj refugjatëve. Gjithmonë në të njëjtin stil. Qartë, profesionalisht dhe me fakte.
“Pandemia ende nuk ka marrë fund”
E pra kështu është, kjo do të jetë sivjet edhe tema e samitit të BE-së në Bruksel brenda së njëjtës ditë. Merkel vlerëson përparimin me vaksinimet dhe situatën aktuale me numrin e ulët të infeksioneve, por: “pandemia ende nuk ka marrë fund e aq më keq në vendet më të varfëra të botës. Por edhe ne në Gjermani e në Europë vazhdojmë të lëvizim në një terren të brishtë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Veçanërisht variantet e reja që po shfaqen të virusit si ai Delta na paralajëmrojmë të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.”
Një refuzim të prerë jep Merkel lidhur me diskutimet, kryesisht në SHBA, për zbutjen pjesërisht të mbrojtjes së patentimit për vaksinat. Zhvillimi i mëtejshëm i vaksinave do të arrihet, vetëm nëse ruhet e drejta për mbrojtjen e pasurisë intelektuale.
Përballje kërcënimeve hibride
Edhe arenat ndërkombëtare të luftës do të jenë temë në Bruksel, e për këtë arsye fjalimi i Merkelit merr një notë si një amanet i saj. BE-ja duhet më në të fund të japë një përgjigje të përbashkët ndaj “kërcënimeve hibride” nga Rusia, Kina dhe Turqia. E njëkohësisht duhet të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë pragmatike me këto vende. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë nuk duhet të jetë vetëm detyrë e SHBA-së.
Paaftësia për veprim e Europës që vërehet në shumë çështje e preokupon Merkelin, kjo ndihet në fjalimin e saj. Përndjekja e opozitarëve në Rusi, politika e disinformimit në të gjithë botën: Ndaj këtyre duhet një përgjigje e qartë, sipas Merkelit, sepse “ngjarjet e muajve të fundit, e jo vetëm në Gjermani, kanë treguar qartë, që nuk mjafton kur ne reagojmë të pakoordinuar ndaj provokimeve ruse. Vetëm kështu ne do të mësojmë t’i kundërpërgjigjemi sulmeve hibride nga Rusia.” Më e përqendruar se herë të tjera duket Merkel, fjalimi i saj është dukshëm më i shkurtër dhe më konçiz se zakonisht.