GËRVALLA: DISTRIA SOT KOSOVËS IA DHA SHKËLQIMIN E ARTË

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi ka fituar sot medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Krasniqi arriti që t’ia sigurojë Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojëra Olimpike.

Krasniqin e uroi edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Gërvalla tha se Distria dhe shumë kolegë të saj duhet ta ndiejnë shumë më fuqishëm dorën dhe mbështetjen e shtetit të tyre.

Ajo tha se me padurim po pret që të shohë edhe gjatë ditëve të ardhshme sportistët tjerë në Tokio, duke thënë se do të brohorasin për rezultatet e tyre.

Postimi i plotë:

Distria sot Kosovës ia dha shkëlqimin e artë. Krahas krenarisë së pafund, në këto çaste gëzimi të madh, të mos harrojmë që Distria, kolegët dhe koleget e saj, por edhe talentet e shumta nga fushat e artit, dijes, kulturës, gjatë rrugëtimit të tyre të vështirë duhet ta ndiejnë shumë më fuqishëm dorën dhe mbështetjen e shtetit të tyre.

Me padurim presim t’i shohim gjatë ditëve të ardhshme edhe sportistët tanë të tjerë në Tokio dhe t’iu brohorisim rezultateve të tyre.