Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë sot në diskutimin joformal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Brdo afër Kranjit të Sllovenisë, nikoqir i të cilit ishte sekretari slloven i Shtetit për Punët e Jashtme, Gashper Dovzhan.
Sllovenia së fundi ka marrë mandatin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, andaj ky diskutim u hap me prezantimin e prioriteteve të presidencës së Sllovenisë dhe temë bosht ishte çështja e tejkalimit të situatës me pandeminë COVID-19.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ministrja Gërvalla, theksoi në fjalën e saj se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket çështjes së menaxhimit të pandemisë.
Gërvalla përmendi ndihmën e jashtëzakonshme të BE-së në këtë drejtim, vendeve anëtare të saj, por edhe të vendeve jashtë BE-së si Norvegjia dhe SHBA-të.
Ministrja u ndal tek ideja e tregut të përbashkët rajonal si plan dhe strategji për bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhje të konflikteve, teksa foli për bashkëpunimin rajonal.
Gërvalla ka deklaruar se ka aktorë në Ballkan që po tentojnë ta minojnë këtë koncept duke u përpjekur t’i kthejnë kohërat e vjetra në këtë rajon, kur përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërlidhura.
“E quajnë ‘Mini-Shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë. Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.
Gërvalla i ka bërë thirrje BE-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta ndalur këtë proces para se të jetë vonë.
“Ky proces mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, tha ajo.
Tutje diskutimet u zhvilluan duke u fokusuar në temat që lidhen me procesin e zgjerimit, sundimin e ligjit si dhe zgjidhjet për krijimin e një Evrope të qëndrueshme pas pandemisë COVID-19. Me këtë rast u bë thirrje që të bëhet vaksinim në masë në mënyrë që sa më parë të gjitha shtetet t’i kthehen normalitetit.