Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama në vizitë zyrtare në SHBA

Në vazhdën e vizitës zyrtare në Pentagon, komandanti i FSK-së, gjenerallejnant Rama gjatë vizitës në Pentagon është pritur nga Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, Gjeneral Daniel Hokanson.

Në këtë takim Gjeneral Rama falënderoi Gjeneralin Hokanson për mbështetjen e dhënë nga Garda Kombëtare e SHBA-së për Kosovën dhe FSK-në. Ai gjithashtu shprehu falënderimin për shërbimin e trupave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.

Në këtë takim, dy gjeneralët diskutuan për rritjen e bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me misionin dhe detyrat e saj. Gjithashtu në këtë takim u diskutua edhe mundësia e vazhdimit të zbarkimit të kontingjenteve tjera të FSK-së në misione paqeruajtëse.

Gjenerali Hokanson e falënderoi për bashkëpunimin dhe çmoi lartë lidershipin e Gjeneral Ramës për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, procesin e tranzicionit si dhe sukseset e vazhdueshme të FSK-së. Ai gjithashtu, shprehu konsideratë të lartë për të arriturat e deritashme të FSK-së, si në ngritje të kapaciteteve ashtu edhe për pjesëmarrjen në misione jashtë vendit.

Të dy gjeneralët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, me mundësi të zgjerimit të fushave të bashkëpunimit dhe zbarkimit të përbashkët në misione paqeruajtëse për kontribut në sigurinë dhe stabilitetin në Botë.

Gjithashtu në vazhdën e vizitës së tij edhe në Washington, DC, gjeneral Rama ka takuar anëtaren e Komitetit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, Senatoren Joni Ernst.