GJUHA SHQIPE

 

Gjuha shqipe (ose thjeshtë shqipja) është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indo-evropiane të folur nga më shumë se 6 milionë njerëz[4], kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Republikën e Maqedonisë, por edhe në zona të tjera të Evropës Jugore ku ka një popullsi shqiptare, duke përfshirë Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës.

Komunitetet shekullore që flasin dialektet shqiptare mund të gjenden të shpërndara në Kroaci (Arbëreshët në Zarë), Greqi (Arbëreshët në Greqi, Çamëri dhe disa komunitete në rajonet e Maqedonisë Perëndimore dhe Trakës Perëndimore)[5], Itali (Arbëreshët në Italinë Jugore,[6] Sicili dhe Kalabri) si dhe në Rumani dhe Ukrainë[7]. Ekziston poashtu edhe një diasporë e madhe shqiptare.

 

Shpërndarja e gjuhës shqipe

Shqipja, si gjuhë moderne, përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indo-evropiane.

Shkruhet me shkronja latine.

Gjuha shqipe përfshin gjuhën standarde ose gjuhën e njësuar letrare shqipe, e cila u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972 në Tiranë, dhe të gjitha dialektet, nëndialektet e të folurat që fliten nga shqiptarët.

Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegërishten, toskërishten, dhe një kronolekt: arbërishten.

Fjalori i shqipes ka disa huazime nga greqishtja e lashtë, si dhe nga latinishtja; huazimet pastaj vazhdojnë nga gjuhët sllavo-jugore, greqishtja dhe osmanishtja, si dhe nga italishtja e frëngjishtja dhe gjuhët tjera.