GUVERNATORI MEHMETI: DIASPORA SHTYLLË ME RËNDËSI PËR EKONOMINË E KOSOVËS

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se kufizimi i lëvizjes së diasporës nga pandemia Covid19 ndikoi në rënien ekonomike të Kosovës.

“Diaspora është me shumë rëndësi për vendin, remitencat edhe pse ka qenë pandemi kanë shënuar rritje në Kosovë, duke arritur në gati 1 miliard euro”, tha ai.

Sipas sektori bankar ka pasur likuidet të mirë dhe kjo ka ardhur si rezultat i veprimeve të BQK-së, që janë marrë pas shfaqjes së pandemisë.

“Sektori financiar është vlerësuar pozitivisht. Edhe raportet e FMN-së, BE-së dhe nga departamenti i shtetit BQK-ja është vlerësuar lartë me masat që i ka marrë”, tha Guvernatori Mehmeti në aktivitetin e organizuar nga organizata Germin dhe Komuna e Vushtrrisë “Invest in Vushtria’.

Ai ka ftuar diasporën të investojë në Kosovë. “Ka shumë mënyra se si diaspora të investojë në Kosovë, i ftojmë bizneset nga diaspora të vizitojnë BQK-në për të diskutuar mundësinë që ka sektori financiar për investime”, tha ai.

Mehmeti: Eksporti i shërbimeve në vitin 2020 ka qenë 628 milionë euro

“Unë besoj që në shumë aspekte do të ketë efektin shumë më të madh në tërheqjen e investimeve. Organizimi i këtyre forumeve, i këtyre takimeve e mundëson lidhjen dhe komunikimin mes bizneseve vendore dhe atyre që vijnë nga diaspora. Ekonomia në nivel global është goditur nga pandemia në tërësi. Sidomos masat të cilat janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjen së pandemisë COVID-19, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global kanë shënuar një rënie të theksuar ekonomike. Rënia ekonomike është diku rreth 6,6 për qind po flas për vitin 2020. Në Kosovë rënia ekonomike sipas ASK-së shënohet 3,9 për qind rënia ekonomike. Një nga faktorët që ka ndikuar në rënien ekonomike është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, sidomos nga vendet nga vijnë diaspora. Gjë që ka bërë që të ulet eksporti i shërbimeve nga 1,3 miliardë sa ka qenë në vitin 2019, në 628 milionë që ka qenë në vitin 2020”, u shpreh ai.

Më tej, ai ka shtuar se ka rritje të kreditimit në baza vjetore, ku ka inkurajuar diasporën për investime në Kosovë.

Mehmeti: 60 për qind e investimeve janë në patundshmëri

“Nëse shohim vetëm investimet e huaja direkte, dikun mesatarja për dhjetë vite janë 280 milionë euro investimet e huaja direkt. Në vitin 2020 ka qenë 324 milionë, po si mesatare 280 milionë euro. Prej tyre pjesa dërmuese janë 60 për qind të dedikuara për patundshmëri, ose më saktë në blerje të banesave. Unë besoj dhe ju siguroj që Kosova ofron edhe mundësi të investimeve edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, ka shtuar ai.