Kontrollimi i qelizave nervore me anë të dritës hap rrugë të reja studimi

Një metodë e quajtur optogjenetikë ofron njohuri për kujtesën, perceptimin dhe varësinë.

Qelizat e specieve të algave Chlamydomonas reinhardtii janë “zbukuruar” me proteina që mund të ndiejnë dritën. Kjo aftësi, e vërejtur për herë të parë në vitin 2002, tërhoqi shpejt vëmendjen e shkencëtarëve të trurit. Një proteinë që ndien dritën premtoi fuqinë për të kontrolluar neuronet – qelizat nervore të trurit, duke siguruar një mënyrë për t’i ndezur dhe fikur, pikërisht në vendin dhe kohën e duhur.

Qelizat nervore të krijuara gjenetikisht për të prodhuar proteina algale bëhen “kukulla” të kontrolluara nga drita. Një shkreptim drite mund të nxisë një neuron të qetë të ndezë sinjalet ose të detyrojë një neuron aktiv të heshtë.

“Kjo molekulë është sensori i dritës që na duhej”, thotë neuroshkencëtari Zhuo-Hua Pan, i cili kishte kërkuar një mënyrë për të kontrolluar qelizat e shikimit në retinat e minjve.

Metoda e mundësuar nga këto proteina huazuese tani quhet optogjenetikë, si kombinim i fjalëve dritë (opto) dhe gjene. Në më pak se dy dekada, optogjenetikët kanë fituar njohuri të mëdha se si ruhen kujtimet, çfarë krijon perceptime dhe çfarë shkon keq në tru gjatë depresionit dhe varësisë.

Deri më tani, hulumtimet e optogjenetikëve janë bërë kryesisht në minj. Por njohuri për trurin më kompleks, përfshirë atë të primatëve, së shpejti mund të gjenden, thotë Yasmine El-Shamayleh i Universitetit të Kolumbisë. El-Shamayleh dhe të tjerët po e shtyjnë “këtë linjë të kërkimit”, me forcë. “Ne jemi patjetër në majë të zbulimit të disa parimeve magjepsëse të trurit primat, të tilla si mënyra se si truri transformon sinjalet nga sytë në perceptime”– thotë ajo.
Optogjenetika ka evoluar shpejt. Shkencëtarët kanë krijuar dhe optimizuar sensorë të rinj të dritës dhe mënyra të reja për kombinimin e tyre me teknika tjera. Në Stanford, rregullisht zhvillohen punëtori për të trajnuar shkencëtarë tjerë mbi teknikën. “Në njëfarë mënyre, kjo është po aq e rëndësishme sa shpikja e saj”, thotë Lerner.

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë më tej në këtë fushë që “lëvizë me shpejtësi”, një gjë është e sigurtë: Shkencëtarët e trurit do të jenë përgjithmonë borxhli ndaj algave.