Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë “Marrëveshje për ndihmë juridike në çështjet civile”

Është nënshkruar “Marrëveshja për ndihmë juridike në çështjet civile” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, këtë të mërkurë.

“Sot me 25 gusht 2021, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, z. Bojan Marichikj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë së Kosovës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.

Në konferencën e mbajtur për media, ministrja Haxhiu ka thënë: “Kjo marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile ose tregtare të personave fizik dhe juridik”. Palët përmes kësaj Marrëveshje i garantojnë shtetasve të palës tjetër mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave dhe qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve tjera, sikurse për shtetasit e tyre.

Në anën tjetër, Ministri i Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Marichikj, ka deklaruar se kjo marrëveshje thellon bashkëpunimin ndërmjet dy republikave dhe do të kontribuojë në lehtësimin e shërbimeve për qytetarët e të dyja vendeve.

Marrëveshja e nënshkruar këtë të mërkurë, zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile ose tregtare të personave fizik dhe juridik.

“Sipas kësaj marrëveshjes palët u garantojnë shtetasve të palës tjetër mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave dhe qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve tjera, sikurse për shtetasit e tyre”, ka shkruar Ministria e Drejtësisë.

“Po ashtu përmes marrëveshjes, janë rregulluar çështjet të cilat trajtojnë përjashtimin nga legalizimi i dokumenteve, fuqinë juridike të dokumenteve publike, ndihmën juridike dhe lirimin nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore, mbrojtjen juridike dhe qasjen e lirë në gjykata e autoritete të tjera, si dhe çështje të tjera me rëndësi”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë.

Vlen të theksohet se marrëveshja në fjalë, është hartuar nga ekspertë vendor të të dyja vendeve dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Konventat e Konferencës së Hagës, si dhe reflekton praktikat më të mira evropiane. Sipas ministrisë së Drejtësisë kontribut kanë dhënë edhe ekspertë francezë dhe gjermanë.