KOSOVA I OFRON PËRKRAHJE GREQISË NË SHUARJEN E ZJARREVE

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pasur sot një bisedë telefonike me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi.

Mehaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se asaj i ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për të mbështetur institucionet greke me aftësitë dhe kapacitetet operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga zjarret e ditëve të fundit.

“Kërcënimet dhe rreziqet nga faktorët e ndryshëm në realitetin e sotëm, përcaktojnë faktin se, fryma e bashkëpunimit rajonal në parandalimin, menaxhimin, reagimin dhe rimëkëmbjen pas pasojave të tyre, është nevojë e pashmangshme për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Mehaj.