Kosovë: 35 raste me COVID-19 dhe asnjë viktimë në 24 orë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se ka regjistruar 35 raste të reja me koronavirus. Në 24 orët paraprak, nuk është regjistruar asnjë viktimë nga ky virus.

Rastet e reja dalin pas testimit të 3.199 mostrave dhe nga kjo shifër i bie që një për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë me koronavirus.

Komuna me më së shumti raste të reja me COVID-19 është ajo e Prishtinës, përkatësisht, në kryeqytetin e Kosovës janë regjistruar nëntë raste të reja.

Në 24 orët paraprake, 180 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Që prej marsit 2020, e deri më 22 maj 2021, Kosova ka regjistruar 107.213 raste me koronavirus. Prej tyre, 2.239 pacientë kanë vdekur dhe 101.279 janë shëruar.

Raste aktive janë 3.695.