Maja e Valamarës, një thesar i fshehur e Shqipërisë

Valamara është mal me lartësi 2373 metra në kufirin midis rrethit të Korçës, atij të Gramshit dhe të Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit, kurse në jug me Lenien. Është i ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Ka forma të shumta të relievit akullnajor dhe liqene akullnajore (mbi 1600 metra).

Në shpatin lindor buron lumi Shkumbin, kurse në atë perëndimor dhe juglindor, Devolli. Bimësia përbëhet nga pyje ahu e pishe në pjesën e ulët dhe nga kullota të pasura verore në pjesën e sipërme.

Bashkia Gramsh ka publikuar një pamje mahnitëse të liqeneve akullnajore të Valamarës, si një pikë ndjellëse për të shijuar turizmin malor ndër më interesant dhe të panjohur të Shqipërisë.

Një nga arsyet për të vizituar malin Valamara janë tre liqenet akullnajore, që ndodhen rreth 2200 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lenie.

Liqenet e Valamarës krijojnë një ekosistem interesant dhe kanë gjithashtu vlera gjeologjike, ekologjike dhe kulturore.