Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar nga Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, përfaqësuesit e “Ekipit të Gjelbër” nga Ambasada Amerikane, si dhe anëtarët e Shoqatës KUSA (Kosova United States Alumnis), kanë vizituar sot fshatin Ponesh të Komunës së Gjilanit, ku kanë parë nga afër aktivitetet e pyllëzimeve vjeshtore që janë duke u realizuar në këtë zonë.
Në kuadër të projektit të pyllëzimeve, që implementohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe MBPZhR-ja, do të mbillen 1 milion fidanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Ministri Faton Peci theksoi se pyjet janë potencial i madh për zhvillim ekonomik dhe duke pasur parasysh këtë pyjet janë përfshirë si një nga prioritetet nacionale dhe janë paraparë një varg masash që do të ndërmerren.
“Duke marrë për bazë rëndësinë shumëdimensionale të pyjeve, që nga marrja e mandati tim kam ndërmarrë veprime konkrete që të ngrisim kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare, nëpërmjet ofrimit të kornizës institucionale, dhe rregullativave mbështetëse. Në kuadër të këtij angazhimi gjatë këtij viti ne kemi finalizuar Strategjinë për Pyje 2021 – 2030, kemi themeluar Task Forcën Ndër-Institucionale për Pyje, si dhe po avancojmë legjislacionin përkatës respektivisht Ligjin për Pyje i cili është në proces të finalizimit”, ka thënë ministri Peci.
Ndryshe, sipërfaqja pyjore në Kosovë mbulon diku rreth 44 për qind të territorit dhe këto resurse natyrore me vlera të shumta sociale dhe ekonomike, janë pasuri kombëtare që kanë potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.