Miratohet kërkesa për angazhimin e përkohshëm të mbi 1 mijë profesionistëve shëndetësorë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj që e ka mbajtur sot e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 1 mijë e 116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për menaxhimin e pandemisë dhe përkrahjen e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 për tre muaj me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, në mbledhjen e qeverisë ka thënë se për këtë angazhim do të ndahen mbi tre milionë euro të cilat do të alokohen në dy faza.

Kemi sjellë propozim vendimin për të ndarë 3 milionë e 192 mijë e 854 euro për të mbuluar kostot e këtij angazhimi të përkohshëm. Mjetet sigurohen nga instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19. Shuma alokohen në dy faza, për fazën e parë alokohen 1 milion e 596 mijë e 427 euro, kurse për fazën e dytë mund të bëhet me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë nëse është e nevojshme”.