Ngjyrat më të shndritshme të krijuara ndonjëherë, frymëzuar nga natyra

Një ekspozitë me ngjyrat më të gjalla të krijuara ndonjëherë nga njeriu, do të hapet më 17 maj në Kopshtet Botanike Mbretërore Kew në Britani. Për prodhimin e tyre përdoret një teknologji e re e cila arrin të ofrojë të gjitha nuancat e jashtëzakonshme të ngjyrave që gjendjen në natyrë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të shtatorit.

Këto sfera me ngjyra shkëlqejnë aq shumë saqë nuk duken reale. Por në fakt ato janë një produkt i frymëzuar nga natyra. Këto fotografi janë pjesë e një ekspozite të re të hapur në Kopshtet Botanike Mbretërore Kew në Britani. Ekspozita e tillulluar Ngjyrat e Shndritshme Natyrale paraqet ngjyrat më të gjalla të krijuara ndonjëherë, duke ofruar nuancat spektakolare të botës natyrore.

Ekspozita shërben si një pikëtakimi mes artit dhe shkencës. Ngjyrat që paraqiten aty janë prodhuar duke imituar botën reale.

Disa bimë dhe kafshë kanë struktura mikroskopike në shtresat e tyre sipërfaqësore, të cilat reflektojnë rrezet e diellit në një mënyrë specifike për të prodhuar ngjyra të ndezura, si rasti i fluturave.

Frymëzuar nga këto ngjyra natyrale të gjalla, fenomeni është riprodhuar artificialisht duke përdorur një teknologji të përparuar. Shkencëtari dhe artisti Andrew Parker është njeriu që qëndron pas ekspozitës.

Në fillim të karrierës së tij, ai studioi ngjyrat e shkëmbinjve të mëdhenj koralorë dhe pyjet e dendur e me shi dhe kuptoi që ato nuk mund të riprodhoheshin njësoj si ngjyrat që përdorin piktorët.

Ndaj ai nisi të hulumtojë se si të mund të prodhohen ngjyra të ngjashme në mënyrë artificiale.

“Është shumë e vështirë të krijosh këtë kombimin strukturor ngjyrash që gjen në natyrë në një produkt të bërë nga njeriu. Por ne kemi makineri të mëdha dhe duhet të gjejmë zgjidhje inteligjente, duke u përpjekur të prodhojmë këto mikrostruktura, shpejt dhe pa kosto të lartë”, thotë ai.

Prej kohësh arti frymëzohet nga natyra. Sikurse dhe teknologjia që qëndron pas kësaj ekspozite. Por zoti Parker mendon se përdorimi i kësaj teknologjie shkon përtej botës së artit.

“Është ideale edhe për produktet komerciale. Ne kemi të gjitha llojet e gjërave, duke filluar nga celularët deri tek orat. Do të ishte diçka me të cilën mund të lyeshin makinat. Kjo do të thotë që ngjyrat e makinave nuk do të zbeheshin kurrë sepse kjo lloj ngjyre nuk përmban pigment, por thjesht materiale transparente që realisht nuk do të zbeheshin kurrë për miliona vite”.

Teknologjia që përdoret për të krijuar këto ngjyra, përbëhet nga struktura mikroskopike transparente që pasqyrojnë nuancat e një ngjyre të vetme, në shumë drejtime, duke i bërë ato (ngjyrat) të duken tepër të gjalla.