Xhudistja jonë Majlinda Kelmendi humbi ndaj hungarezes Reka Pupp në Lojërat Olimpike Tokio 2020, qysh në luftën e parë.
Por Majlinda po merr mbështetje nga të gjithë pas kësaj humbje të papritur. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Majlinda për shqiptarët do të mbetet kampione olimpike e përhershme.
Osmani shkruan se Majlinda është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë dhe se ajo ndriçoi emrin e Kosovës para gjithë botës.
“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin. Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndrrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave. Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë. Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!”, ka shkruar në “Facebook” presidentja Osmani.