Osmani në Zvicër: Kosova është vend ideal për investime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës në Forumin Ekonomik të Zvicrës dhe tha se Kosova është vend ideal për investime.

“Përpara rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantova sot potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksova mundësitë e shumta për investime në vendin tonë, si e ftuar e Forumit Ekonomik të Zvicrës”.

Osmani tha se në mesin e arsyeve të shumta për të investuar në Kosovë është edhe fuqia punëtore e përgatitur, potenciali i jashtëzakonshëm i të rinjve dhe sukseset e tyre, legjislacionin e bashkërenduar me atë të BE-së, si dhe mbrojtjen që i ofrohet investitorëve të huaj.

“Interesimi i bizneseve e investitorëve për Kosovën u vërejt shumë qartë. Ne na mbetet të punojmë fort e të sigurohemi që interesimi i tyre të shndërrohet në investime të suksesshme në vendin tonë”.