OSMANI NËNSHKRUAN MARRËVESHJE ME SHBA,3.8 MILION DOLLARË SHTESË PËR KOSOVËN

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar sot amendamentin 2 të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin Kosova përfiton edhe 3.8 milionë dollarë shtesë.

Kjo marrëveshje fillimisht ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2020, me të cilën Kosova ka përfituar 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Në maj të këtij viti, u nënshkrua amendamenti 1 i marrëveshjes, i cili i siguron Kosovës një shtesë të mjeteve financiare 1.6 milionë dollarë. Ndërsa sot, me amendamentin 2 të kësaj marrëveshjeje, Kosova përfiton edhe 3.8 milionë dollarë shtesë, duke e rritur vlerën totale të marrëveshjes në 38.4 milionë.

Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Objektivi i parë zhvillimor i marrëveshjes përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike.

Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

Osmani ka potencuar rëndësinë e angazhimit të USAID në Republikën e Kosovës në zhvillimin e shoqërisë, si dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së ndaj vendit tonë.