Një numër në rritje kompanish po zhvillojnë produkte që kanë në qendër mbrotjen e mjedisit.
Pajisja e quajtur Chipolo punon duke përdorur teknologjinë Bluetooth, ajo ndihmon në gjetjen e sendit të humbur, i cili nis të tingëllojë kur ju shtypni butonin “për të gjetur vendndodhjen”.
Por tregu është i mbushur me produkte të ngjashme sikurse Tile apo konkurrentë të tjerë, përfshirë Samsung-un. Por Chipolo ka gjetur një mënyrë për të rënë në sy. Pajisja është krijuar nga mbeturina që mund t’i gjesh në oqean, sikurse rrjetat e peshkimit të riciklueshme.
“Produket tona përbëhen nga plastika. Edhe pse janë shumë të vogla dhe nuk përdorim shumë plastikë, përsëri ndjejmë se duhet të jemi të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për mjedisin”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo
Me ndihmën e Oceanworks, një organizatë e cila synon të shpëtojë botën nga mbeturinat plastike, plastika e nxjerrë nga sipërfaqet e cekëta të ujit përdoren për të krijuar shtresën e jashtme të produktit.
“Duke përfshirë plastikën e oqeanit në produktin e tyre, ata u dërgojnë një mesazh jo vetëm konsumatorëve, por edhe bizneseve të tjera se çdo gjë është e mundur. Mund të filloni me një gjë të vogël e të keni rezultate të mëdha”, thotë Rob Ianelli, Themelues dhe President i Oceanworks.
Mbeturinat plastike të dëmshme që ndodhen në oqeanet dhe detet tona po rriten me një shpejtësi alarmante. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta produktet plastike njëpërdorimshe, si dhe plastikat e gjetura në pajisjet e peshkimit që kanë humbur apo janë hedhur përbëjnë rreth 70% të të gjitha mbeturinave detare.
Disa kompani po ndërhyjnë për t’u dhënë zgjidhje këtyre shqetësimeve. Adidas ka tashmë një linjë këpucësh me plastikë që nxirret nga oqeani. Ndërkohë, Chipolo ndihet mirë për kontributin e saj modest ndaj një problemi të madh global.
“Ne nuk po shesim vetëm një produkt i cili përbëhet nga materiale të marra nga rrjetat e ricikluara të peshkimit, ne gjithashtu po ndërgjegjësojmë lidhur me ndotjen e oqeanit. Në këtë mënyrë mbase po inkurajojmë kompani të tjera që të fillojnë të mendojnë për të e të prodhojnë produkte që përbëhen prej plastikës së ricikluar në vend të materialeve të papërpunuara”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo