Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Fushë Kosovë, me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të nxënësve, ka mbajtur sot një ligjëratë me nxënësit e shkollës “Zejnel Salihu” në Bardh të Madh të kësaj komune, për dhunën në familje dhe dhunën ndaj fëmijëve.
Ligjërata u mbajt në disa grupe dhe kanë marrë pjesë mbi 130 nxënës të klasave VI-IX.
Nxënësit janë njoftuar me dhunën në familje, llojet e saj, pasojat që shkakton kjo dukuri, pastaj me detyrat dhe përgjegjësit e Policisë së Kosovës, si dhe format dhe mënyrën e raportimit të rasteve të dhunës në familje në polici.
Kjo ligjëratë është mirëpritur nga nxënësit dhe stafi pedagogjik dhe arsimor i shkollës, dhe prezantimet kanë zgjuar kureshtjen e pjesëmarrësve ku edhe u parashtruan një numër i konsiderueshëm i pyetjeve në lidhje me temën.
Policia e Kosovës apelon qytetarët të raportojnë dhunën në familje në numrat e saj pa pagesë: 192, 080019999 dhe në adresat elektronike [email protected], dhe aplikacionin mobil “Lajmëro Policinë”, pasi vetëm duke bashkëpunuar të gjithë së bashku mund të kontribuojmë në parandalimin e dukurive negative në shoqëri.
Në fund të ligjëratës për pjesëmarrës janë shpërndarë fletushka vetëdijesuese për dhunën në familje.