Kryeministri Edi Rama njoftoi se së shpejti Shqipëria do të çojë satelitë në hapësirë. Nuk dihet pse, si dhe kur por deklarata e Ramës u bë në parlament, si përgjigje ndaj Bashës, që i kujtoi blerjen e dronëve në Turqi. Në këtë moment Rama zbuloi planin e Shqipërisë për të çuar satelitë në hapësirë. Nuk dihet nëse kjo do të ndodhë, para, gjatë apo pas krizës energjetike, që për momentin ka vënë në vështirësi financat e shtetit shqiptar, por ajo që dihet është se satelitët do të quhen “Albania 1” dhe “Albania 2”. Deklarata e kryeministrit shkaktoi të qeshura tek deputetët e opozitës.
“Prisni prisni! Qeshni, qeshni! Jo vetëm dron por do të çojmë edhe satelitë në hapësirë. Po, po, satelitë. “Albania one”, “Albania two” do t’i çojmë edhe ato se për ne ky vend nuk është “Tokë e zënë” dhe nuk është, “7 mrekulli solli bota dhe mrekullinë e 8 e bëtë ju”. Se ju jeni të vetmit që keni bërë një qytet pa leje. Sigurisht na keni lënë një situatë që kërkon durim, por ne shohim shumë larg, jo dron por edhe satelitë do të çojmë në hapësirë”, tha Rama./Motilokal.com