Rritet interesimi i studentëve kosovarë për të studiuar në Japoni

 

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit në arsim.

Ministrja Nagavci e falënderoi Mitsunorin për ndihmën që ka dhënë Japonia për Kosovën, e në veçanti për mundësinë që ua ka dhënë studentëve të Kosovës që përmes bursave të studiojnë në universitetet japoneze.

Ministrja Nagavci po ashtu, e informoi Mitsunori për planet e Qeverisë që synojnë ta përmirësojnë gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit, teksa theksoi se do të ishte i rëndësishëm bashkëpunimi me shtetin japonez në këtë drejtim.

Ndërkaq, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori, theksoi se është i kënaqur që interesimi i studentëve kosovarë për të studiuar në Japoni është rritur, prandaj theksoi se do të shikohen mundësitë për të rritur edhe numrin e bursave.

Në këtë takim, ministrja Nagavci dhe Mitsunori u dakorduan që të punojnë për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në arsim mes Kosovës dhe Japonisë.