TRANZICIONI I GJELBËR DHE FUQIZIMI I GRAVE

0
39

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel, si dhe një delegacion të Agjencisë Franceze të Zhvillimit (ADF)

ADF, e përbërë nga z. Dominique Hautbergue, Udhëheqës i Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor, znj. Mirela Mata, Zyrtare për Strategji dhe Operacione për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe znj. Florence Dobelle, Udhëheqëse e shërbimit ekonomik rajonal për zonën Danub-Ballkan.

Në takim u diskutua për aktivitetin e Agjencisë franceze të zhvillimit në rajon dhe në veçanti në Republikën e Kosovës, me ç‘rast Presidentja Osmani bëri thirrje për rritjen e aktivitetit dhe përkrahjes së ADF në vendin tonë.

Presidentja Osmani tha se gjatë mandatit të saj, mbrojtja e mjedisit, fuqizimi i grave, dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve të margjinalizuara, në veçanti të fëmijëve, përbëjnë disa nga top prioritetet në angazhimin e saj në fushën e agjendës zhvillimore. Gjersa përfaqësuesit e ADF-së theksuan që fokusi i punës së tyre është në fusha si tranzicioni i gjelbër në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit, fuqizimi i grave, si dhe zhvillimi i partneriteteve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ofroi mbështetje, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm.

“Jemi të vetëdijshëm që vendimet që i marrim sot do të kenë ndikim edhe në jetët e gjeneratave që vijnë pas nesh, prandaj do të angazhohemi që të përpilojmë politika të mençura, gjithëpërfshirëse, dhe të cilat garantojnë mbrojtjen e mjedisit e rrjedhimisht dhe të shëndetit tonë. Në këto përpjekje, shpresojmë dhe besojmë se do të kemi mbështetjen e aleatëve tanë dhe të institucioneve siç është edhe ADF-ja”, ka theksuar Presidentja Osmani.