U16 e Kosovës shpallet kampion i grupit F në “Challenger”

Kombëtarja U16 e Kosovës në Basketboll është shpallur kampion i grupit F në divizionin C në FIBA European Challenger për U16 pasi mposhti Kombëtaren U16 të Luksemburgut në finalen e grupit me rezultat 86:43.

Kosova dominoi skuadrën mysafire në çdo çerek, ku më meritorët për fitoren e dardanëve ishin Rron Dahsyla me 30 pikë e 11 kërcime dhe 5 topa të vjedhur, Dren Kastrati me 15 pikë 10 kërcime dhe 9 topa të vjedhur, po ashtu lojtari i tretë me dyshifrorë të dyfishtë për Kosovën ishte edhe Eris Zeneli me 20 pikë e 10 kërcime.

Kosova në këtë ndeshje i kishte në dispozicion vetëm tetë lojtarë për shkak se disa prej lojtarëve kishin dal pozitiv me COVID-19, kurse Luksemburgu me 12, njofton Klankosova.tv.

Kosova ishte në grup me Gjibraltarin, Maltën, Moldavinë, Luksemburgun dhe Shqipërinë. Kosova kaloi këtë grup pas as edhe një humbje.

Të gjitha ndeshjet e grupit F u zhvilluan në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.