Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se do të jenë rreth 2 mijë punëtorë shëndetësorë, përfshirë edhe ekipet e vaksinimit, që do angazhohen gjatë kësaj periudhe.
“Nga java e ardhshme, përveç mbi 400 punëtorëve shëndetësorë në ekipet e vaksinimit që kemi bërë në qershorin e këtij viti. Do të fillojnë punën edhe mbi 1,100 të tjerë staf mbështetës, si mjekë, infermierë, e të tjerë. Në javën që po vjen bazuar me mungesat evidente të stafit në kujdesin parësor shëndetësor, do të rekrutojmë edhe mbi 400 punëtorë personel shëndetësor shtesë. Dhe në total do të jenë rreth 2 mijë punëtorë shëndetësorë, përfshirë edhe ekipet e vaksinimit”, deklaroi ai.
Ai pas mbledhjes së qeverisë, ka shtuar se institucionet shëndetësore nuk janë në gjendje të mirë, por përmirësimi i kushteve kërkon durim dhe punë për të ecur para.
“Janë identifikuar e tani më janë shtuar kapacitet e shtretërve në 1.600. Është funksionalizuar oksigjenimi qendror në disa klinika të QKUK-së, në spitalin e Pejës, të Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Javën e ardhshme e njëjta do të bëhet në spitalin e Vushtrrisë. Kemi mjaftueshëm pajisje mbrojtëse personale, teste të mjaftueshme dhe një pjesë të mirë të barnave në dispozicion… Nga dje ka filluar shpërndarja e barnave nga lista esenciale dhe brenda ditësh ky furnizim do të jetë mbi 90 për qind të kësaj liste në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, shumë më herët që kemi premtuar dhe menduar fillimisht”, ka shtuar ai.