Kur kanë mbetur edhe pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, subjektet politike tashmë kanë filluar lëvizjet e para me përcaktimin e kandidaturave për kryetarë të komunave.
Në bazë të kalendarit të rregullt zgjedhjet do të mbahen në tetor apo nëntor të këtij viti dhe tashmë PDK, LDK dhe AAK kanë zyrtarizuar kandidatët për disa komuna, derisa nga LVV ende nuk ka ndonjë zyrtarizim.
Pavarësisht kësaj, nga të gjitha partitë ka kandidat që kanë shpallur ambiciet për të garuar për kryetarë të komunave të caktuara.
AAK e cila qeverisë në shtatë komuna, është partia e parë që ka filluar zyrtarizmin e kandidaturave për zgjedhjet lokale të vjeshtës së këtij viti.
Daut Haradinaj – Prishtinë dhe Besnik Tahiri – Podujevë ishin dy kandidaturat e para surprizë nga AAK.
Arbër Tolaj do të jetë kandidatë nga kjo parti për kryetarë të Pejës.
Përpos Obiliqit, ku kryetari aktual Xhafer Gashi është tërhequr nga AAK, në të gjitha komunat tjera që qeverisë AAK do të garojnë kryetarët aktual.
Ardian Gjini – Gjakovë, Bali Muharremaj – Suharekë, Zenun Çelaj – Klinë, Bashkim Ramosaj – Deçan, Smajl Lafiti – Rahovec, Agron Kuçi – Junik.
LDK e cila drejton shtatë komuna, deri më tani ka zyrtarizuar vetëm kandidaturën e Përparim Ramës për Prishtinën.
Gazmend Muhaxheri i cili drejton Komunën e Pejës, ka konfirmuar disa herë se do të jetë në garë edhe për një mandat në këtë komunë.
Edhe Xhafer Tahiri ka konfirmuar se do të jetë në garë edhe për një mandat në Vushtrri.
Për një mandat tjetër duket se do të kandidojnë edhe Imri Ahmeti për Lipjanin dhe Sokol Haliti për Vitinë.
Emri i Ekrem Hysenit është përmendur si më i mundshmi nga LDK për Podujevën. Për të thuhet se ka konsensus të gjerë nga Dega e LDK-së në Podujevë, njofton Telegrafi.
Nga LDK ende nuk dihet nëse do të rikandodjnë për rizgjedhje Lutfi Haziri në Gjilan dhe Haki Rugova në Istog.
PDK deri më tani ka zyrtarizuar kandidaturat për disa komuna.
Shaqir Totaj edhe njëherë do të provojë të rikthejë Prizrenin në qeverisjen e PDK-së.
Pos Totajt, PDK ka zyrtarizuar edhe rikandidimin e Naim Ismajlit në Shtime, komunë kjo të cilën PDK e drejton prej shumë mandatesh.
Rrahim Ternava dje është zyrtarizuar si kandidatë i PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës.
Dega e PDK-së në Skenderaj ka deklaruar se Sami Lushtaku është zyrtarizuar si kandidatë i kësaj partie për kryetar të komunës.
Rikandidimin për kryetar të Drenasit nga PDK e ka shpallur edhe Ramiz Lladrovci.
Ende nuk dihet nëse për një tjetër mandat do të kandidojnë Agim Aliu për Ferizajn dhe Shaban Shabani për Dragashin, komuna këto që i qeverisë PDK.
LVV deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetarë të komunave.
Deri më tani si kandidatë më i mundshëm për Prishtinën nga kjo parti përflitet Arben Vitia.
Ambicien për të garuar për Prizrenin nga LVV deri më tani e ka shprehur deputetja Drita Millaku, ndërkohë që komuna drejtohet nga Mytaher Haskuka i LVV-së.
Agim Bahtiri ka deklaruar se do të garojë edhe për një mandat në krye të Komunës së Mitrovicës, por kësaj radhe nën logon e LVV-së. Për këtë Bahtiri ka thënë se ka edhe mbështetjen e LVV-së.
Për kryetarë të komunës së Pejës nga LVV pritet të garojë Gazmend Agusholli. Telegrafi ka mësuar se kandidatura e Agushollit është miratuar në Kryesi të Pejës dhe pritet që të merr edhe mbështetjen nga qendra.
Nga ana tjetër, AKR sot ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Selim Pacollit për Prishtinën.