E diel, 1 Gusht, 2021
Ballina E spikatur 11 SPORTISTË DO TA PËRFAQËSOJNË KOSOVËN NË LOJËRAT OLIMPIKE

11 SPORTISTË DO TA PËRFAQËSOJNË KOSOVËN NË LOJËRAT OLIMPIKE

Në dallim prej Lojërave Olimpike “Rio 2016”, ku Kosova përfaqësohej nga tetë sportistë, tani në “Tokio 2020”, pjesëmarrës do të janë 11 sportistë, gjashtë prej tyre femra dhe pesë meshkuj.

Po e shpallim listën e fundit të garuesve, të cilët do të marrin pjesë në ‘Tokio 2020’. Gjithsej kemi 11 sportistë të cilët vinë nga gjashtë sporte të ndryshme: xhudo, mundja, atletika, noti, boksi dhe shenjëtari sportive. Prej 11 sportistëve, gjashtë prej tyre janë femra, ndërsa pesë meshkuj. Kjo do të thotë që ende në Kosovë po dominojnë vajzat dhe po na bëjnë krenarë dhe dua t’i falënderoj. Prej kësaj, liste me normë olimpike janë Majlinda Kelmendi (xhudo, kategoria -52 kg), Distria Krasniqi (xhudo, -48 kg), Nora Gjakova (xhudo, -57 kg), Loriana Kuka (xhudo, -78 kg) Akil Gjakova (xhudo, -73 kg). Të gjithë këta janë nga xhudo, kurse në mundje kemi Egzon Shalën në kategorinë -125 kg, stil i lirë. Kurse të ftuar nga komisioni tre palësh i kemi Donjeta Sadiku (boks, kategoria 57-60 kg), Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive, 10 metra pushkë ajrore). Të ftuar sipas vendeve të rezervuara, për shkak të universalitetit e kemi Eda Zeqiri (not, disiplina 400 metra stil i lirë), kemi Olt Kondirollin (not, disiplina 100 metra stil i lirë), edhe Musa Hajdari (atletikë, 800 metra vrapim)”, ka thënë Ismet Krasniqi, kryetar i KOK-ut.

Ndërsa boksierja Donjeta Sadiku ka folur për synimet që ka në Lojërat Olimpike.  “Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për të gjithë sportistët është një ëndërr, po ashtu edhe për mua. Jam shumë krenare që e kam bërë realitet këtë ëndërr. Kam besuar gjithmonë se një ditë do t’i arriti këto suksese me punë të madhe dhe përkushtim të madh. Synimet e mija janë me marrë ndonjë medalje olimpike, dhe vazhdimi deri te e arta”, ka thënë Sadiku. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj (KOK) tregoi se të gjithë sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në “Tokio 2020”, e kanë kryer procesin e vaksinimit, duke e marrë edhe dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19.