Kuvendi i Kosovës me 67 vota për, 9 kundër dhe një abstenim, e ka zgjedhur Auditore të Përgjithshme, Vlora Spanca me mandat 5 vjeçar.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralia, tha se Komisioni për Financa Publike, në mbledhjen e saj e shqyrtoi vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu lidhur me propozimin për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe vendosi që Kuvendit t’ia paraqes propozimin e presidentes Vlora Spanca të zgjidhet auditore e përgjithshme.
Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka thënë së procesi i zgjedhjes së auditorit duhet të kthehet në pikën zero sepse sipas tij vetë fakti që personi i rekomanduar është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit është i papranueshëm“Personi i cili është rekomandu që të votohet sot në Kuvendin e Kosovës është motra e njërës nga këshilltarët e kryeministrit, mendoj që një fakt të tillë e bën të pa pranueshëm”, ka thënë Tahiri.
Deputeti Tahiri ka thënë se lidhje të tilla e dëmtojnë imazhin e institucionit të auditorit sado profesional që mund të jetë personi i rekomanduar.Edhe deputeti Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se LDK-ja do të abstenoj nga ky votim.“Ne sapo e shkarkuam nga pozita një zonjë për shkak të konfliktit të interesi dhe mendoj që kjo logjikë duhet të vlej njëjtë.
Të kemi standard pozitiv. Nga vlerësimi i punës së kaluar për mendimin tim ka luajtur rol profesional e pozitiv. Por në rrethanat që gjendet aktualisht se motra e saj është këshilltare e kryeministrit do të ishte hendikep dhe njollë e keqe për zyrën e auditorit”, tha Zemaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani në një kundërpërgjigje ka thënë se kandidatja e propozuar është vlerësuar me pikë maksimale nga kompania e cila angazhohet nga anglezët dhe është vlerësuar e dyta nga komisioni që është formuar nga presidenca.“Edhe këtu mundeni me akuzu se kemi ndiku apo kemi bërë që të jetë ky rezultat besoj që është absurde dhe nuk ka asnjë bazë në atë se çfarë ju deklaroni”, ka thënë Rrahmani.