Astronautja Wang Yaping bëhet gruaja e parë kineze që ecën në hapësirë

Wang Yaping është bërë gruaja e parë kineze që kryen një shëtitje në hapësirë si pjesë e një misioni gjashtëmujor në stacionin hapësinor të vendit.

Tre anëtarët e ekuipazhit komandanti Zhai Zhigang, Wang Yaping dhe Ye Guangfu mbërritën në stacionin hapësinor Tianhe disa orë pas nisjes më 15 tetor. Agjencia e Hapësirës Kineze njoftoi për shëtitjen në hapësirë në një deklaratë të premten (5 nëntor). Në atë kohë, agjencia nuk dha informacion mbi kohën ose objektivat e sakta të ecjes në hapësirë, as se cilët ishin anëtarët e ekuipazhit.

Të dielën, CMSA njoftoi se shëtitja hapësinore ishte duke u zhvilluar dhe ajo po kryhej nga astonautët Zhai Zhifang, komandanti i misionit Shenzhou 13 dhe Wang Yaping, astronautja e dytë femër e vendit që fluturoi në hapësirë. Wang tani është e para femër kineze në hapësirë. Ecja e tyre në hapësirë pritej të zgjaste gjashtë orë, shkruan AFP.

Wang, 41 vjeç dhe Zhai, 55 vjeç, kishin udhëtuar të dy në stacionet hapësinore eksperimentale të Kinës tashmë të pensionuar dhe Zhai kreu ecjen e parë hapësinore të Kinës 13 vjet më parë.

Moduli Tianhe i stacionit do të lidhet vitin e ardhshëm me dy seksione të tjera të quajtura Mengtian dhe Wentian. Stacioni i përfunduar do të peshojë rreth 66 tonë, shumë më i vogël se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, i cili nisi modulin e tij të parë në 1998 dhe peshon rreth 450 ton.