Gjatë muajit të kaluar, mbi 240 mijë shtetas të huaj kanë vizituar Shqipërinë

466.283 persona kanë hyrë gjatë muajit prill në territorin shqiptar, ndër to 241 mijë shtetas të huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, rritja është ndjeshme në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, kur sapo kishte nisur pandemia, 18.5 herë më shumë.

Gjatë 4 mujorit të parë të 2021-shit në vend kanë hyrë 754.796 persona, kryesisht nga Kosova dhe Zvicra.

Ndërsa janë pothuajse përgjysmuar udhëtimet prej Anglisë dhe reduktuar me 4.4 herë ato prej Greqisë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Arsyeja kryesore e vizitave të të huajve në Shqipëri është ajo personale, e pasuar nga pushimet dhe biznesi.

Edhe lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar rritje gjatë prillit, 12.7 herë më shumë se në të njëjtin muaj të 2020-s.

Nga rreth 450 mijë shtetas që sipas INSTAT kanë dalë jashtë Shqipërisë në prill, më shumë se 230 mijë kanë qenë shqiptarë.

Megjithatë krahasuar me 4 mujorin e parë të 2020-s numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë është më i vogël.

Si ata që lenë vendin, ashtu dhe ata që vijnë kanë preferuar të udhëtojnë kryesisht në rrugë tokësore dhe shumë pak detare.