Përmbledhje
Gjëra që duhen ditur në lidhje me pre-eklampsinë
Pre-eklampsia është shumë më e përhapur se ç’mendohet – në të vërtetë është ndërlikimi më i zakonshëm mes ndërlikimeve serioze të shtatzanisë. Pre-eklampsia mund të marrë trajta të një sëmundjeje të rrezikshme, madje edhe kërcënuese për jetën, edhe pse sot për sot nuk është studiuar aq mirë sa të mund të parandalohet.
Disa të dhëna kyç për pre-eklampsinë
Çfarë është?
Është një sëmundje që shfaqet vetëm gjatë shtatzanisë dhe mund të prekë njëkohësisht nënën dhe fëmijën e palindur. Në më të shumtën e rasteve sëmundja është e lehtë, por ka edhe një formë serioze, që mund të jetë e rrezikshme. Mes ndërlikimeve më serioze, meritojnë të përmenden konvulsionet, të njohura me emrin “eklampsi”; që këtej edhe emri pre-eklampsi.
Kë prek?
Në formën e saj më të zakonshme, pre-eklampsia prek përafërsisht një në 10 gra. Nga gratë
shtatzana, më në rrezik janë ato që bëhen nëna për herë të parë; gratë mbi 40 vjeç; gratë me një BMI mbi 35; gratë me një histori familiare të pre-eklampsisë; kur kanë kaluar dhjetë vjet ose më shumë nga shtatzania e mëparshme; gratë që vuajnë nga tensioni i lartë arterial, diabeti ose sëmundje të veshkave; ato që kanë binjakë ose trinjakë ose më shumë dhe ato që kanë vuajtur nga pre-eklampsia më parë.
Çfarë e shkakton?
Një problem në placentë, që e pakëson ushqimin e fëmijës me gjak. Ky problem shfaqet herët gjatë barrës, por nuk shkakton sëmundjen veçse shumë më vonë – zakonisht gjatë pak javëve të fundit.
Cilat janë shenjat?
Tension i lartë arterial, proteina në urinën e nënës dhe, ndonjëherë, rritje e pamjaftueshme e
fëmijës – shenja të cilat të gjitha duhet të diktohen gjatë kontrollit të zakonshëm para lindjes.
Si mjekohet?
Gratë me pre-eklampsi duhen mbajtur nën kontroll – zakonisht në spital ose në një klinikë
ditore – dhe mund të duhet të marrin barna për të ulur tensionin arterial.
A mund të kurohet?
Pre-eklampsia zhduket vetvetiu, pas lindjes së fëmijës dhe largimit të placentës nga trupi,
meqë problemin e shkakton pikërisht placenta. Për këtë arsye, shumë grave me pre-eklampsi u kërkohet ta lindin fëmijën herët.
A do të shfaqet përsëri?
Në disa gra – mesatarisht një në 20 – do të shfaqet përsëri.
A mund të parashikohet herët gjatë barrës?
Ende jo – prandaj ka aq shumë rëndësi që gratë të vizitojnë rregullisht klinikat e kujdesit për
shtatzaninë – por është e mundur të identifikohen ato gra që janë më të ekspozuara ndaj
rrezikut.
A mund të parandalohet?
Jo mirë – megjithëse disa mjekë mendojnë se doza të vogla aspirine të marra çdo ditë nën
mbikqyrjen e mjekut mund të ndihmojnë në disa raste.
Çfarë mund të bëjnë ato gra që e kanë pasur më parë?
Të këshillohen me ekspertë, të kërkojnë kontrolle të shpeshta gjatë shtatzanisë, të paraqiten
rregullisht për vizita dhe të njoftojnë maminë ose mjekun për të gjitha shenjat dhe simptomat
që vënë re te vetja.
Shenja për t’u pasur parasysh
- • Dhimbje koke të forta e të zgjatura
- • Turbullim i pamjes, njolla drite ose njolla të tjera në fushëpamje
- • Dhimbje të forta poshtë brinjëve, sidomos në anën e djathtë
- • Të vjella (por jo të vjellat gjatë muajve të parë të shtatzanisë)
Pse duhen kontrolluar tensioni arterial dhe urina gjatë shtatzanisë
Sa herë që keni takim me mjekun gjatë shtatzanisë, duhet t’ju kontrollohet tensioni arterial
dhe urina. Kjo bëhet sepse ndryshimet në tensionin arterial ose në urinë mund të jenë shenja
të një problemi të shtatzanisë që quhet pre-eklampsi. Kjo sëmundje mund t’ju rrezikojë ju ose fëmijën tuaj, në qoftë se nuk diktohet herët. Kontrolle mjekësore të rregullta do të ndihmojnë për t’ju ruajtur ju dhe fëmijën nga rreziqet.
Çfarë është tensioni arterial?
Tensioni arterial është forca me të cilën zemra ju pompon gjaku në trup. Matet në pjesën e
sipërme të krahut, nëpërmjet një mënge që fryhet me ajër. Tensioni arterial regjistrohet në
trajtë të dy numrave: numri i parë (dhe më i madh) tregon trysninë gjatë një rrahjeje të
zemrës; i dyti trysninë midis dy rrahjeve të njëpasnjëshme. Tensioni arterial ndryshon nga një
njeri në tjetrin. Ndryshon gjithashtu gjatë ditës, si dhe në vartësi të çka jeni duke bërë. Për
gratë, një tension prej mesatarisht 110/70 ose 120/80 është normal. Juaji mund të jetë pak më i lartë ose pak më i ulët, dhe megjithatë të jetë krejt normal për ju.
Tensioni arterial gjatë shtatzanisë
Gjatë vizitës së parë të paralindjes, mamia do t’ju matë tensionin. Pas kësaj, ajo ose mjeku do t’jua kontrollojnë tensionin gjatë çdo vizite të mëpasme.
Po sikur ta kem të lartë tensionin arterial?
Stresi, shqetësimet ose veprimtaria e shtuar mund t’jua ngrenë tensionin për një farë kohe. Por në rast se tensioni mbetet në vlera të larta, mund të jetë shenjë e pre-eklampsisë. Nuk ka ndonjë ndarje të prerë midis tensionit arterial normal dhe tensionit të lartë. Mjekët dhe
mamitë zakonisht fillojnë të shqetësohen në rast se vlerat i tejkalojnë shifrat 140/90. Në rast
se keni tension të lartë arterial, mjeku ose mamia do t’jua matin më shpesh. Sa herë që e
bëjnë këtë, duhet t’ju kontrollojnë edhe urinën, për të parë nëse ka proteina.
Kontrolli i urinës për proteina
Nga kontrolli i urinës mund të merren të dhëna të rëndësishme për gjendjen shëndetësore
tuajën dhe të fëmijës. Urina duhet kontrolluar të paktën një herë për infeksion, sepse
infeksionet janë të shpeshta gjatë shtatzanisë. Por urina duhet të kontrollohet edhe për
proteinë, sa herë që shkoni për t’u vizituar, meqë proteinat në urinë mund të jenë shenjë e
pre-eklampsisë.
Si kryhet testi
Mamia ose mjeku zhytin një shirit letre në një mostër të freskët urine. Testi tregon nëse ka
proteina ose jo, dhe sa proteina ka. Në rast se sasia është shumë e vogël, kjo do të shenjohet si ‘trace’ (gjurmë). Në këtë rast nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse sasia është më e madhe, kjo do të shenjohet si një ose më shumë pluse (+).
Po sikur të ketë proteina?
Në rast se ju shenjojnë një ose më shumë pluse (+), dhe gjithashtu e keni të lartë tensionin
arterial, ka shumë mundësi të keni pre-eklampsi, prandaj do të keni nevojë për kujdes
shëndetësor të posaçëm. Urinën do t’jua kontrollojnë për shkaqe të tjera të proteinave, si
p.sh. një infeksion. Nëse gjendet një infeksion, ky do të mjekohet, proteinat nuk do të dalin
më në urinë dhe ju nuk do të keni më nevojë për ndonjë kujdes të posaçëm.
Po të keni pre-eklampsi
Pre-eklampsia dhe ju
Kur të jeni shtruar në spital, tensionin arterial dhe urinën do t’jua kontrollojnë shpesh. Në
qoftë se tensioni ju rritet shumë – 160/100 ose edhe më i lartë – mund t’ju duhet të merrni
barna për ta ulur. Këto barna nuk do t’i bëjnë keq fëmijës së palindur. Pre-eklampsia prek
shumë pjesë të trupit, prandaj mund t’ju bëjnë kontrolle të mëlçisë, veshkave dhe të sistemit
të mpiksjes së gjakut. Mjekët dhe mamitë që kujdesen për ju mund të duan të dinë si ndiheni, sepse po të mos ndiheni mirë kjo mund të jetë shenjë se sëmundja po keqësohet.
Pre-eklampsia dhe fëmija juaj
Pre-eklampsia prek edhe fëmijën tuaj të palindur, prandaj fëmija duhet kontrolluar rregullisht
për të parë nëse po rritet mirë ose për të zbuluar ndonjë shenjë të diçkaje që nuk shkon.
Disa fëmijë mbeten në gjendje të mirë shëndetësore edhe kur nënat u vuajnë nga një formë e rëndë pre-eklampsie. Megjithatë, në rast se fëmija ka shenja se nuk po ecën mirë, mjeku mund t’ju këshillojë ta lindni para kohe.
Lindja dhe më pas
Po të keni pre-eklampsi, ka të ngjarë t’ju kërkohet të lindni para kohe ose me anë të një
operacioni cezarian. Ju dhe fëmija do të mbaheni nën kontroll të vazhdueshëm gjatë lindjes.
Pasi të ketë lindur fëmija, ju do të përmirësoheni shpejt. Megjithatë, mund të duhet të kalojnë disa ditë, javë ose edhe muaj që tensioni arterial t’ju kthehet në vlerat normale. Në rast se fëmija juaj lind para kohe, mund të ketë nevojë për kujdes të posaçëm, për pak kohë.
Fëmija që lind normal ose e merr veten mirë nga një lindje e parakohshme nuk do të ketë probleme.
Nuk është faji juaj!
Pre-eklampsia nuk shkaktohet nga vese të këqia as parandalohet nga zakone të mira të të
jetuarit. Tensioni i lartë arterial shkaktohet nga sëmundja, jo nga stresi, shqetësimi i tepruar
ose puna e rëndë. Ju vetë nuk keni asnjë faj.
Po të mos ndiheni mirë…
Shumë gra me pre-eklampsi ndihen mirë. Megjithatë, po të mos ndiheni mirë kjo mund të jetë një shenjë e parë e sëmundjes, ose një shenjë se sëmundja po ju keqësohet.
Për çfarë duhet të keni kujdes
• Dhimbje koke të forta e të zgjatura
• Turbullim i pamjes, njolla drite ose njolla të tjera në fushëpamje
• Dhimbje të forta poshtë brinjëve, sidomos në anën e djathtë
• Të vjella (por jo të vjellat gjatë muajve të parë të shtatzanisë)
Këto simptoma nuk janë gjithnjë të pre-eklampsisë, por për të qetësuar veten, është mirë që
po t’ju shfaqen pas 20 javësh shtatzanie të njoftoni menjëherë mjekun ose maminë.