Hoteli 300 vjeçar në Gjermani brandohet nga dizajneri shqiptar

Dizajneri Agi Haxhimurati i cili merret me brandimin e industrive të ndryshme, kësaj radhe është marrë me një projekt të rëndësishëm i cili  ka të bëjë me brandimin e hotelit gjerman “Van Bebber”, i hapur që në vitin 1783 në qytetin e Xantenit.

E veçanta e këtj hoteli qëndron në faktin se aty kanë fjetur personazhet më të njohur botëror si Napoleon Bonaparte (në kohën kur Xanten ishte nën Perandorinë Franceze), Mbretëresha Victoria, Winston Churchill (i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qëndruar këtë hotel nga ku thurrte plane për vazhdimin e pushtimit të Gjermanisë), filozofi Friedrich Engels, kancelarja Angela Merkel, etj.

Për krijimin e logos janë përdorur tre pika referimi (landmarks) të qytetit  të Xantenit, si Klever Tor Gate (1393), Katedralja e Shën Viktorit (shek.IV), Mulliri Kriemhild (shek.XIV). Gjithashtu në simbol janë përfshirë katër pikat që i referohen ndër katër personazheve botëror që kanë qëndruar në hotel. E gjitha kjo, është e “mbështjellur” në një heraldikë me kryq të kuq romak që tregon se qyteti i Xantenit është themeluar nga perandori romak Julius Caesar.

Të gjithë turistët mund t’i shohin hapësirat historike të këtij hoteli, të akomodohen në dhomat ku kanë fjetur personazhet e njohur apo të ulen në restorantet ku kanë darkuar disa nga njerëzit që kanë hyrë në historinë botërore.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të brandimit të hotelit “Van Bebber” ishin të pranishëm disa ministra të qeverisë gjermanë si dhe personalitete të shquara të fushave të ndryshme shoqërore.