Kryeministri kanadez Trudeau: Nuk ka vend për Islamofobinë në Kanada

Në Kanada u mbajt Samiti Kombëtar i Islamofobisë nëpërmjet internetit me shumë ministra në qeverinë Trudeau dhe drejtues të institucioneve zyrtare, udhëheqës të organizatave joqeveritare muslimane dhe pjesëmarrës nga segmente të ndryshme të shoqërisë.

“Le të jemi shumë të qartë, nuk ka vend për Islamofobinë në Kanada. Megjithatë, kjo urrejtje nuk është diçka që mund të eliminohet brenda një dite”, deklaroi kryeministri Trudeau në fjalën e tij.

Ai tha se gjatë samitit kanë biseduar me liderë të komunitetit muslimanë dhe kanë shënuar edhe më tepër përparim.

Ne kemi identifikuar mënyra konkrete se si mund të vazhdojmë të ndërmarrim veprime për të mbrojtur kanadezët muslimanë dhe ne riafirmojmë angazhimin tonë për të zhdukur këtë urrejtje kurdo dhe kudo që lind. Si qeveri, ne po investojmë në mbrojtjen e xhamive dhe qendrave të komunitetit. Po shkatërrojmë fanatizmin dhe radikalizmin në internet dhe po ndalojmë grupet e urrejtjes të ekstremit të djathtë. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një Kanada ku të gjithë janë të mirëpritur, të sigurtë dhe të respektuar, së bashku me kanadezët muslimanë në gjithë vendin”, tha Trudeau.

Këshilli Kombëtar i Muslimanëve të Kanadasë (NCCM), ideator i Samitit Kombëtar të Islamofobisë, pritet të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës mbi samitin në ditët në vijim.