Materiale vetë-shëruese për pajisjet hapësinore

Shkencëtarët në Angli po përpiqen të ndërtojnë polimere të reja për të zgjatur jetëgjatësinë e pajisjeve të dërguara në hapësirë. Stuart Donovan Holmes është shef i mbrojtjes dhe hapësirës në Qendrën Kombëtare të Materialeve Përbërese në Bristol. Ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se programi pilot teston materiale që u rezistojnë kushteve të vështira në orbitën e Tokës.

“Pajisjet në orbitë goditen nga rreze ultra-vjollcë, copëza dhe pluhur hapësinor. Reagimet e tye në sipërfaqen e pajisjeve në orbitë kanë pasoja të padëshirueshme. Ndaj ky program po teston kombinimin e përbërësve të ndryshëm për të parë se çfarë funksionon në atë mjedis”.

Për ta bërë këtë, Qendra Kombëtare e Materialeve Përbërëse po bashkëpunon me studiuesit në Universitetin Bristol. Profesor Ian Hammerton shpjegon punën që po bëhet.

“Kemi një polimer që në thelb vetë-shërohet, kështu që kur e ekspozojmë në mjedisin e orbitës së ulët të Tokës, materiali reagon me oksigjenin, ai reagon ndaj këtyre radikalëve dhe në thelb prodhon një shtresë mbi sipërfaqen e tij. Pra, bëhet pothuajse si një guaskë mbrojtëse mbi sipërfaqen e polimerit, duke mbrojtur edhe pjesët poshtë tij”.

Profesori thotë se disa materiale që aktualisht janë në përdorim janë përbërës metalikë të prodhuar që nga Lufta e Ftohtë. Ai thotë se materialet e reja më të lehta dhe më të forta mund të përdoren për panelet diellore ose sistemet strukturore. Shkencëtarët do t’i testojnë polimeret në mjedisin hapësinor verën që vjen.