Tre ditë në hapësirë dhe 4 turistët e parë të SpaceX-it zbritën në Oqeanin Atlantik, në brigjet e Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata janë dëshmi e përfundimit me sukses të të parit mision historik në orbitë, pa astronautë profesionistë në bord. Ishin katër parashuta të mëdha që ngadalësuan zbritjen e kapsulës, të rikuperuar më pas nga një anije e SpaceX-it.
I pagëzuar me emrin frymëzues “Inspiration 4”, objektivi i deklaruar i misionit ishte të shënonte një zhvillim në demokratizimin e hapësirës. Kjo për të treguar se kozmosi është i prekshëm edhe për ekuipazhe që nuk janë përzgjedhur e trajnuar prej vitesh.
Katër udhëtarët amerikanë, mes të cilëve miliarderi Jared Isaacman, kaluan tre ditë në orbitë, përreth Tokës, duke udhëtuar përtej Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar e lëvizën në orbitë me rreth 28 mijë km në orë. Ata bënë xhiron e botës, më shumë se 15 herë në ditë.
Për herë të tretë, kompania e Elon Musk-ut rikonfirmohet në pak vite si një gjigant i sektorit sa i përket udhëtimeve në hapësirë. Misionet e kaluara janë kryer për llogari të NASA-s, Agjencisë Amerikane të Hapësirës. /Motilokal.com