“Rritu e mëso”, platforma e parë në gjuhën shqipe për fëmijë

Në muajin mars të këtij viti, pritet të lansohet platforma e parë në gjuhën shqipe për fëmijë “Rritu e Mëso”, e cila pritet të bëhet miku më i mirë i të vegjëlve, duke u ofruar atyre përmbajtje të shumta edukative e argëtuese.

Kjo platformë pritet të lansohet më 7 mars, 2021 dhe në kanal do të ketë diku rreth 200 video të gatshme, të cilat do të realizohen me aktorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Radio KFOR-i ka kontaktuar themeluesin e kësaj platforme, Artan Korenica, i cili ka treguar më shumë detaje për përmbajtjet e platformës dhe qasjen në të: “Platforma ‘Rritu e Mëso’, do ta ketë kanal në YouTube, e cila ka me funksionu njëjtë si televizion, në kuptimin që çdo javë ka me pas video të reja. Në të njëjtën kohë, jemi duke bërë edhe aplikacionin, i cili do të jetë pjesë e kësaj platforme dhe do t’u mundësojë fëmijëve që të mësojnë dhe luajnë me shkronja e numra, e po ashtu do ketë edhe përralla e gjëegjëza. Pra, aplikacioni ka me qenë shumë i pasur, ku do të ketë edhe art, që munden me vizatu fëmijët. Gjatë pandemisë, e kam vërejtur se si nuk kemi materiale në gjuhën shqipe, andaj meqë e njoh mirë produksionin, kam filluar me realizimin e këtyre videove. Aktorët i njoh edhe personalisht, andaj kemi dashur të realizojmë diçka që është atraktive, por edhe edukative në të njëjtën kohë.”

Tutje, Z. Korenica, për Radio KFOR-in bëri të ditur se target i tyre janë grupmoshat nga 1 deri në 13 vjeç, për të cilët kanë realizuar video të ndryshme: “Specifike është që kemi sjell përralla në shqip, vjersha, kemi realizuar kuize, të gjitha shumë të bukura, që fëmijët me i dëgju. Po ashtu, kemi përfshirë gjeografi e histori, duke realizuar video për promovimin e lokacioneve të ndryshme, të cilat do t’ju mundësojnë fëmijëve që të njohin këto vende, veçanërisht fëmijët e diasporës, të cilët kur të vinë për pushime me e ditë se cilat vende kanë qejf me shku e me i vizitu. Po ashtu, kemi realizuar plot video eksperimentale me fëmijët, që prindërit munden me i bë në shtëpi. Qëllim i krejt kësaj është që prindërit me pas kohë me u merr me fëmijët, përmes aktiviteteve interaktive.”