Sa vizitohet Turqia nga kosovarët dhe sa shpenzojnë

Para se të fillonte pandemia, turizmi ishte një nga industritë me rritjen më të shpejtë në botë. Megjithëse kjo industri pësoi një rënie të madhe, përsëri kishte lëvizje të turistëve, sidomos gjatë sezonit të verës.

Destinacionet e turistëve kosovarë

Për të gjithë ne, pushimet janë shumë të rëndësishme, por gjithashtu është e rëndësishme se ku do t’i kalojmë ato. Dihet që një përqindje e madhe e turistëve kosovarë duan të kalojnë pushimet e tyre jashtë vendit, posaçërisht ato verore. Kjo mund të jetë për shkak të faktit se ne nuk kemi det ose se ne jemi një vend shumë i vogël dhe nuk gjejmë mundësi rekreative për të kaluar pushimet brenda vendit.

Shqipëria dhe bregdeti i saj mbetet vendi kryesor turistik për pushuesit kosovarë. Bregdeti i Shqipërisë vizitohet nga kosovarët disa herë në vit, e viteve të fundit kemi parë një fluks të madh, sidomos gjatë vikendeve.

Pas Shqipërisë, pika kryesore turistike për kosovarët është Mali i Zi, përkatësisht Ulqini. Dihet që një numër i madh i kosovarëve i kalojnë pushimet verore në plazhet e Malit të zi, duke qenë kështu një nga turistët kryesorë të këtij vendi.

Një nga destinacionet turistike më të preferuara të kosovarëve është edhe Turqia. Turqia mbetet një vend që nuk kërkon viza për udhëtarët kosovarë, gjithashtu ofron transport ajror të shpeshtë që e bëjnë këtë vend mjaft të vizituar nga kosovarët.

Turistët kosovarë në Turqi

Vende të shumta turistike, lidhjet familjare, kultura, tradita, ushqimi, mikpritja, dhe vitet e fundit prania e serialeve të shumtë turq, janë vetëm disa nga arsyet pse kosovarët vizitojnë Turqinë.

Tani do të paraqes disa statistika që i kam kërkuar nga “Ministria e Kulturës dhe Turizmit” të Turqisë ne lidhej me turistët kosovarë.

Viti 2019

Po filloj me vitin 2019 ku ishte numri më i lartë i turistëve nga Kosova që vizituan Turqinë. Në këtë vit, rreth 152,000 mijë turistë nga Kosova vizituan Turqinë, numri më i madh i të cilave ishte në Stamboll, duke sjellë rreth 70,000 mije turistë. Antalia është vendi i dytë më i vizituar nga pushuesit kosovar me rreth 64,000 mijë turistë. Përqindja më e madhe e vizitave në Turqi u zhvilluan gjatë sezonit të verës, përkatësisht në korrik dhe gusht. Ajo që vërejmë në vitet e me parshme është se kemi pasur një rritje të vazhdueshme të turistëve kosovarë në Turqi.

2017–2018 16,8% ngritje
2018–2019 8,2% ngritje

Kjo rritje do të vazhdonte edhe në vitin 2020 nëse nuk do të kishte pandemi të shkaktuar nga covid19.

Viti 2020

Një rënie prej më shumë se 50% e turistëve kosovarë në Turqi vrehet në vitin 2020 kjo si rezultat i pandemisë. Statistikat tregojnë se në vitin 2020, Turqia u vizitua nga rreth 70,000 turistë nga Kosova. Përsëri numri më i madh i turistëve ishte përqendruar në Stamboll me rreth 47,000 turistë ndërsa në Antalia kishte rreth 16,000 turistë nga Kosova. Pjesa prej 7,000 turistëve të tjerë ishte e shpërndarë në qytete të tjera.

Viti 2021

Sipas një deklarate të dhënë për mediat turke nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy. Turqia ka në plan të presë rreth 30 milion turistë gjatë vitit 2021. Situata me virusin ndoshta nuk është më e mirë se vitin e kaluar, megjithatë përgatitjet janë shumë më të mira se një vit më parë.
Një numër shumë më i madh se vitin i kaluar i turistëve kosovarë pritet të kalojnë pushimet e tyre në rivierën turke. Kjo sepse një numër i madh i njerëzve kanë filluar të fitojnë imunitet psiqik ndaj pandemisë dhe gjithashtu nevoja për të udhëtuar kurr nuk ka qenë më e madhe se tani.

Një fakt tjetër është se një numër i madh i pushimeve janë anuluar vitin e kaluar. E këtë vit nuk shihet se ka ndonjë disponim për t’i anuluar përsëri ato.
Sa shpenzojnë turistët kosovarë për pushime në Antalia?
Turistët kosovarë në shumicën e rasteve rezervojnë pushime në Antalaia përmes agjensioneve të udhëtimit duke blerë paketa turistike. Këto paketa turistike përfshijnë transportin me aeroplan, transportin nga aeroporti në hotel, pastaj pothuajse të gjitha shërbimet në hotel dhe kthimin në shtëpitë e tyre. Sipas statistikave, rreth 90% e turistëve kosovarë në Antalia qëndrojnë në hotele me 4–5 yje me një qëndrim mesatarisht prej 4–5 netësh.

Por sa mund të kushtojnë këto paketa turistike?

Nëse shikojmë ofertat turistike nga agjensionet e mëdha të udhëtimit si Eurokoha, Fibula, Ephesus, Maxtravel etj. vërejmë se çmimet fillojnë nga 350 euro për person e paketat më të shitura sillen rreth 500–700 euro. Këto oferta në shumicën e rasteve janë të vlefshme për 6 netë dhe 7 ditë qëndrimi.

Atëher nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë duke marrë numrin e përgjithshëm të turistëve kosovarë që qëndruan në Antalia në vitin 2019 e që ishte rreth 64,000 turist, gjithashtu nëse marrim si mesatare shumën prej 600 eurosh për person dhe e shumëzojmë këta dy numera, arrijmë të kuptojmë se kemi (64,000 * 600) = 38,400,000 milion euro të shpenzuara nga turistët kosovarë për pushime në Antalia. Duhet të theksohet se shpenzimet mund të jenë edhe më të larta pasi që paketat turistike nuk përfshijnë kosto shtesë të cilat bëhen për turne, shopping, dhurata, etj. Nga kjo shumë e madhe parash përfitojnë një rrjet i madh i bizneseve që punojnë në industrinë e turizmit. Përfshirë këto agjensit e vogla udhëtimesh, transportuesit rrugor, linjat ajrore, hotelet, guidat turistike (ciceronet), shitësit e tureve, shitësit e dhuratave etj.