Përkushtimi shumëvjeçar i Institutit për Qeverisje në sektorin e Sigurisë (Institute for Security Governance) në strukturimin dhe formësimin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes, u vlerësua lartë në takimin e sotëm mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesve të ISG-së.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e mëtutjeshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sikurse me rritjen buxhetore prej mbi 100 milionë euro për vitin e ardhshëm, Ministria e Mbrojtjes do të mbetet prioritet i Qeverisë edhe në vitet pasuese.
Në takim u bisedua për rëndësinë e përvojës së fituar nga bashkëzbarkimet e FSK-së dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me shtetet partnere.
U ritheksua përcaktimi i Kosovës në rrugën e NATO-s, me forcë moderne të mirëtrajnuar dhe të ndërveprueshme me shtetet anëtare të NATO-s.
Së bashku me Kryeministrin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe znj. Agime Gashaj, Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, mirëpriten në takim ekspertët z. Keith Dunn, kryesues i grupit të ISG, z. Eric Leyde, Udhëheqësin e Programit, z. Robert Hale, ekspertin për buxhet, planifikim, ekzekutim, blerje, z. Robert Fix, ekspert i tranzicionit, z. Bruce Orvis, ekspert për personel si dhe z. Lance Jr. Burton, ekspert për logjistikë si dhe Kolonelin Steve Rose, Atasheun e Mbrojtjes së ShBA-ve.
Instituti për Qeverisjen në sektorin e Sigurisë (Institute for Security Governance – ISG) ka përkrahur për një dekadë Ministrinë e Mbrojtjes në aspektin strategjik.